Kreu i PD-së së Durrësit Ferdinand Xhaferraj, ka dalë sot në një deklaratë për shtyp nga selia blu e qytetit bregdetar, për të denoncuar emërimin e fundit të kryer në Bashki, të Ardian Iljazaj në pozicionin e drejtorit për Drejtorinë e Shërbimeve Publike.
Iljazaj erdhi në këtë post, pas një viti të vështirë, pasi në janar 2019, ai u etiketua “halabak” nga kryeministri Rama që e shkarkoi nga detyra e drejtorit të Hipotekës, ndërsa disa muaj më vonë u arrestua në kuadër të operacionit policor “Rodoni”.
Pikërisht emërimin e tij, PD e konsideron si një papërgjegjshmëri dhe nëpërkëmbje që Rama iu bën durrsakëve.
Më tej, Xhaferraj thotë se 4 persona në bashki mbajnë nga dy pozicione njëherësh, në një kohë “kur kemi me dhjetra e qindra të rinj Durrsakë që janë shkolluar shkëlqyeshëm, përmes shumë sakrificave, këtu dhe jashtë vendit dhe na kontaktojnë përditë duke shprehur zhgënjimin”.
“Në Shqipërinë e Ramës nuk i shërbehet qytetarit, por korrupsionit. Sepse në Shqipërinë e Ramës nuk drejton ligji, por dosja 339”, deklaron Xhaferraj.
DEKLARATA E PLOTË
Personi që qartazi përcaktohet nga Kryeministri si halabak para tre ditësh është emëruar Drejtor i Shërbimeve në Bashki. Besoj se nuk ka nevojë për koment për papërgjegjshmërinë, arrogancën dhe nëpërkëmbjen që Edi Rama i bën qytetarëve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Por nuk është vetëm kaq. Përditë shikojmë një qytet që shkatërrohet, përditë shohim një qytet që rrënohet sepse nuk i shërbehet qytetit, por korrupsionit. Shikoni delegimet e papërgjegjshme.
Ish-Drejtoresha shërbimeve Emiriana Sako delegohet Nën/kryetare Bashkie dhe më tej delegohet si Kryetare Bashkie, PSE? Nën/kryetari i Bashkisë mban edhe funksionin e Drejtorit Juridik, PSE? Përgjegjësja e Sektorit të Burimeve Njerëzore është edhe Drejtoreshë e Burimeve Njerëzore, PSE? Përgjegjësja e Sektorit e Politikave të Territorit është edhe Drejtoreshë e Politikave të Territorit, PSE? Drejtori Ekonomik është edhe Drejtor i Përgjithshëm Ekonomik, PSE? Halabaku u emërua Drejtor i Shërbimeve dhe Drejtoria e Politikave të Zhvillimit dhe Turizmit është bosh.
Përse katër persona mbajnë 8 pozicione? Kur kemi me dhjetra e qindra të rinj Durrsakë që janë shkolluar shkëlqyeshëm, përmes shumë sakrificave, këtu dhe jashtë vendit dhe na kontaktojnë përditë duke shprehur zhgënjimin. Përgjigjen, fatkeqesisht, e dimë të gjithë. Sepse në Shqipërinë e Ramës nuk i shërbehet qytetarit, por korrupsionit. Sepse në Shqipërinë e Ramës nuk drejton ligji, por dosja 339.
Zgjidhja është e thjeshtë dhe e ka shprehur vashdimisht lideri i opozitës z, Basha. Një ekonomi normale, një administratë normale, një Durrës normal, një Shqipëri normale.





