Erling Haland nuk do largohet nga Mançester Siti. Sulmuesi norvegjez ka nënshkruar një kontratë rekord, për 9 vjet e gjysmë. Sipas Athletic, zgjatja e kontratës heq të gjitha klauzolat e mëparshme të lirimit në marrëveshjen e yllit. Marrëveshja e re e Haland thuhet se është një nga kontratat sportive më fitimprurëse të të gjitha kohërave. Ai do të jetë 34 vjeç kur t’i skadojë kontrata e re.
Marrëveshja ekzistuese e norvegjezit do të skadonte në verën e vitit 2027. Zgjatja do t’i japë një shtysë të madhe Sitit mes një sezoni të vështirë për kampionët në fuqi të Premier Ligës të cilët aktualisht janë në vendin e gjashtë në tabelë, 12 pikë prapa liderit Liverpul. Deri tani, ai ka realizuar 16 gola në 21 ndeshje në kampionatin anglez. Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë klubi anglez përmes një postimi në rrjetet sociale.