Problemi i pronës do të zgjidhet në vitin e parë të mandatit të tretë të Partisë Demokratike me dhënien e tapive të pakontestueshme në regjistrin elektronik të pronës

DURRES, 4 qershor 2013 – Ministri i drejtësisë dhe kandidati i Partisë Demokratike për deputet Eduard Halimi ka qenë në fshatrat Qerekë e Bubq, respektivisht në Komunën e Niklës dhe Komunën e Bubqit. Para banorëve të këtyre zonave ai prezantoi edhe kandidatin demokrat të zonës së Fushë-Krujës, Vullnet Topalli, duke e cilësuar atë një zgjedhje të shkëlqyer të Partisë Demokratike për të përfaqësuar denjësisht banorët e zonës.

Eduard Halimi, i cili kryeson listën e kandidatëve të Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit, tha se “qeverisja e Partisë Demokratike vjen në këto zgjedhje me arritje dhe investime të prekshme, por, mbi të gjitha, me premtime të mbajtura në investime në rrugë dhe shkolla.” “Në Fushë-Krujë, ne do të kemi rezultat blu, – theksoi Eduard Halimi, – sepse ju do të votoni djalin tuaj, i cili do të jetë zëri juaj në Kuvendin e Shqipërisë.” Ministri i drejtësisë u premtoi fermerëve të zonës heqjen e TVSH-së për inputet dhe subvencionimin me lekë në dorë për të stimuluar prodhimin vendas. “Sali Berisha do të ulë taksat e makinerive për punën bujqësore në mënyrë që të mbështeten produktet vendase,” – deklaroi Eduard Halimi, i cili e cilësoi si të paarsyeshëm zotimin e Ramës për t’i hequr TVSH-në importeve. “Kjo do të thotë, – tha Eduard Halimi, – të kalben produktet bujqësore të vendit dhe të favorizohet prodhimi i huaj.” Ai shtoi se Partia Demokratike ka një program të qartë për zhvillimin rural dhe se mandati i ardhshëm do të jetë një mbështetje për fermerët dhe prodhimin vendas.

Duke ju drejtuar banorëve të Qerekës, Eduard Halimi tha se “kur përbuz investimet në rrugë, Rama duhet të kuptojë që është duke shkelur në rrugët që i ka ndërtuar qeverisja Berisha.”

“Ai nuk mund të thotë se të rinjtë shqiptarë janë analfabetë sepse ai nuk mund të hedhi poshtë mundin e tyre në marrjen e diplomës, pasi diplomat e të rinjve shqiptarë janë të shenjta,” – shtoi ai. Nga Qereka, Eduard Halimi akuzoi Ramën se ai nuk ka një plan për pronat. Duke ironizuar deklaratën e kreut të Partisë Socialiste se ai do të ngrejë një agjenci pranë Kryeministrisë për zgjidhjen e problemit të pronës, Eduard Halimi tha se “Rama tregon vetëm përralla nga autobuzi, porse në të vërtetë problemi i pronës do të zgjidhet në vitin e parë të mandatit të tretë të Partisë Demokratike me dhënien e tapive të pakontestueshme në regjistrin elektronik të pronës.” “Një gjë e tillë do të zgjidhë njëherë e mirë mbivendosjet e pronave,” – tha Eduard Halimi.

Kryetari i grupit të punës së Partisë Demokratike për Qarkun e Durrësit i rikonfirmoi këto mesazhe edhe në takimin me banorët e fshatit Bubq.

Ai përcolli mesazhin se rrogat e mësuesve nuk do të jetë më pak se 700 dollarë në muaj.

“Rama ta harrojë se mund të anullojë diplomat e studentëve shqiptarë dhe ta harrojë që mund të heqë mësuesit nga puna, – tha Eduard Halimi. – Rama duhet t’u kërkojë falje banorëve të Bubqit se u solli atyre një deputete i cili nuk u kujdes as edhe një ditë të vetme për problemet e kësaj zone.” Eduard Halimi u shpreh i bindur për mbështetjen e Bubqit për fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 Qershorit.