Kandidatët për deputetë Eduard Halimi dhe Igli Cara në takim me banorët e lagjes 17
DURRES, 15 qershor 2013 – Kandidatët demokratë Eduard Halimi dhe Igli Cara kanë zhvilluar një takim dhe bashkëbisedim me qytetarët në lagjen 17 të qytetit të Durrësit. Sëbashku, të dy kandidatët për deputetë kanë shpalosur shtyllat kryesore të programit të Partisë Demokratike për mandarin e ardhshëm qeverisës. Njëkohësisht, ata ia janë përgjigjur edhe interesimit të qytetarëve lidhur me arsimin, taksat, turizmin dhe për probleme të tjera lokale që shqetësojnë komunitetin.
Në fjalën e tij, ministri i drejtësisë Eduard Halimi, i cili është edhe kreu i grupit të punës së Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit, ka theksuar planin e kryeministrit Berisha për hapjen e 250 000 vendeve të punës.
“Përmes uljes së taksave dhe lehtësirave të tjera për biznesin, ne do të zhvillojmë edhe më tej ekonominë, duke krijuar kështu kushte për krijimin e vendevet të reja të punës, – tha Eduard Halimi. – Ne kemi taksën e sheshtë prej vetëm 10 përqind, kemi hequr tatimin mbi të ardhurat për pagat mujore deri në 30 mijë lekë, do të financojmë kontributet sociale për tre vitet e para për çdo të ri që do të punësohet, kemi hequr gjithashtu edhe TVSH për importin e makinerive të prodhimit. Të gjitha këto krijojnë kushte që biznesi vendas të zhvillohet, ndërkohë që rriten edhe investimet huaja, siç janë projektet e mëdha energjitike. Kjo strategji sjell krijimin e vendeve të reja të punës, dhe ne do ta mbajmë premtimin. Krejt ndryshe ndodh me Ramën dhe Partinë Socialiste, që permes rritjes së taksave kërkon t’i zërë frymën biznesit, i cili do të detyrohet të mbyllet, duke sjellë humbje për të gjithë, që nga shteti që nuk merr më taksa e deri tek njerëzit që dalin pa punë.”
Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Eduard Halimi ka premtuar edhe nxitjen e vetëpunësimit për të gjithë profesionet e lira, veçanërisht të juristëve.
“Avokatët, përmbaruesit dhe noterët do të ushtrojnë liçensat e tyre pa i paguar shtetit asnjë taksë për vitet e para të punës, në mënyrë që të ndërtojnë jetën dhe profesionin e tyre,” – tha Eduard Halimi.





