DURRES, 7 qershor 2013 – Kryetari i grupit të punës për qarkun e Durrësit është ndalur këtë herë në dy takime brenda në qytet.

Së bashku me kandidatin Oerd Bylykbashi në lagjen 8 dhe Igli Carën në lagjen 11, Eduard Halimi u shpreh duke thënë se këta djem durrsakë do t’i përfaqësojnë denjësisht qytetarët e tyre.

Në krye të fjalës së tij deputeti që kryeson grupin e punës, vuri theksin tek arritjet e qeverisë në përmirësimin e shërbimeve publike,rrugë, ujësjellësa dhe shkolla duke deklaruar se premtimet e mbajtura dhe projektet e ardhshme që kanë në qendër qytetarin do t’i sigurojnë fitoren partisë Demokratike. Gjatë fjalës së tij Halimi u ndal tek plani i qartë i qeverisë për nxitjen e biznesit dhe mbështetjen e investitorëve të huaj.

“Vetëm në këtë mënyrë ,mund të hapen vendet e reja të punës dhe të realizohet zotimi ynë për krijimin e 250.000 punësimeve”- tha Halimi. 

Sektori i turizmit, kërkon investime të fuqishme dhe në këtë drejtim Halimi theksoi qëllimin për uljen e taksës për biznesin dhe zhvillimin e punësimit. Kryetari i grupit të punës për qarkun e Durrësit akuzoi Ramën se kërkon t’i marrë frymën biznesit duke e cilësuar pikësynimin e PS-së si alternativën e dështimit.

“Ai tjetri që lëviz me autobuz, kërkon të anullojë të gjitha konçensionet, thotë nën zë se do aplikojë taksimin e Italisë dhe Francës për biznesin, pra 74 %-in dhe kjo nuk do të bëjë gjë tjetër veçëse do ta falimentojë biznesin dhe do të sjellë bllokimin e punësimit”- tha Halimi.

Sipas njoftimit të Noela Yzeirit, Halimi e cilësoi taksën e sheshtë si taksimin më të drejtë për çdo qytetar shqiptar i cili taksohet me 10% sipas të ardhura të veta, pra, nuk është e vërtetë theksoi Halimi përpara qytetarëve durrsakë, se shqiptarët nuk taksohen njësoj.

Kryetari i grupit të punës për qarkun e Durrësit tha se Rama qeverisi për 11 vjet bashkinë e Tiranës dhe jo vetëm që rriti taksat çdo ditë por edhe shtoi numrin e tyre duke ia marrë frymën biznesit.

“Nuk ka sy e faqe të dali dhe të gënjejë shqiptarët, se ata e dinë shumë mirë se si e katandisi Tiranën prandaj qytetarët ia dhanë përgjigjen në zgjedhjet lokale dhe e çuan në Vlorë”. 

Në emër të programit të partisë Demokratike, Halimi u premtoi qytetarëve shtrimin e çdo centimetri rrugë qytetase duke shprehur besimin e plotë se Durrësi do të votojë djathtas.

“Ne e gjetëm Durrësin të përfshirë nga bandat nën drejtimin e një pushteti arrogant, por qytetarët ia dhanë përgjigjen socialistëve në 2005-ën, kështu do ia japin dhe në 2013, sepse Durrësi nuk i pranon horrat ai kërkon të ketë përfaqësues djem të mirë dhe djem intelektualë dhe partia Demokratike i zotëron këto vlera njerëzore” –  u shpreh Halimi.