TIRANE, 14 prill 2013- Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi njofton përfundimin e reformës së ndihmës juridike, që do tu mundësojë qytetarëve informimin mbi legjislacionin dhe këshillimin falas. Përmes rrjetit social “Facebook”, ministri Halimi bën të ditur se nisma e kryeministrit Berisha do të diskutohet gjatë javës së ardhshme në komisionet parlamentare.
“Java që vjen është java e një reforme të rëndësishme për sistemin e drejtësisë me fokus qytetarin. Me nismën e Kryeministrit Berisha, një grup ekspertësh të Ministrisë së Drejtësisë dhe Euralius kanë përfunduar reformën e ndihmës juridike dhe këtë javë diskutohet në komisionet parlamentare. Çdo qytetar ka nevojë të informohet mbi legjislacionin, të kuptojë atë dhe të ndihmohet. Por jo të gjithë kanë mundësi për të patur një avokat, jo të gjithë kanë mundësi të këshillohen prej një avokati. Jo te gjithë kanë mundësi të paguajnë tarifat për një avokat apo tarifat gjyqësore.”- shkruan ministri Halimi.
Ministri i Drejtësisë thekson se është e domosdoshme që të hapen zyra juridike në çdo qytet dhe të informohen qytetarët.
“Informimi i tyre është një hap më shumë drejt rritjes së kulturës juridike, rritjes së ndërgjegjies qytetare, rritjes së zbatimit të ligjit, konsolidimit të drejtësisë, uljes së kriminalitetit, forcimit te shtetit ligjor.
– jo taksa dhe tarifa gjyqësore për grupet vulnerabël
– jo taksa dhe tarifa gjyqësore për viktimat e dhunës.
– avokatë falas në çdo qytet të madh të vendit, që do të ndihmojnë falas të gjithë qytetarët që nuk kanë mundësi të kenë një avokat.
– 6 klinika ligjore që do të ndihmojnë qytetarët që të informohen mbi të drejtat e tyre.”- vijon Halimi.
“Çdo mëngjes çdo qytetar zgjohet me mendimin për të ndryshuar jetën e tij, për ta bërë më të mirë, për vete dhe familjen e tij. Sali Berisha, çdo mëngjes zgjohet për ta bërë më të mirë jetën e secilit prej 4 milionë qytetarëve të Republikës. Ne kemi bërë shumë për reformën në drejtësi. Në 4 vitet e ardhshme do bëjmë akoma më shumë. Jemi në rrugën më të mirë për të ecur bashkë me ju përpara!”- përfundon ministri Halimi.





