TIRANE, 25 shkurt 2013 – Në një intervistë për “News24”, Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi flet për ndryshimet në Kodin penal, duke nënvizuar rëndësinë e frenimit të fenomenit të gjakmarrjes. Ministri Halimi thekson se ndryshimet parashikojnë dënim maksimal për personat që kryejnë krime për gjakmarrje.
Përse këto ndryshime dhe përse tani?
Sigurisht që viti i kaluar ka qenë një vit i ngjeshur me reforma të cilat kanë patur një axhendë të cilat kanë patur të bënin me ligjet të cilat kanë patur të bënin me sistemin gjyqësor. Që në muajin nëntor ky vit është planifikuar do të ishte vit i reformave në kodin penal dhe në kodin e procedurës penale i quajtur ndryshe si paketa e drejtësisë kriminale ose paketa e drejtësisë penale. Së bashku me misionin EURALIUS dhe OPDAT kemi filluar ndryshimet në kodin e procedurës penale të cilat kanë të bëjnë me rishikimin e disa instituteve të këtij kodi,por si dhe me zgjerimin e kompetencave të gjykatës së krimeve të rënda, me fleksibilitet për zhvillimin e procedurave më të shpejta të gjykimit. Ne kemi filluar dhe hartimin e paketës për një ndëshkim më të madh të krimit urban, ndëshkim më të ashpër të atyre krimeve të cilat shqetësojnë seriozisht shoqërinë dhe sigurisht është detyrë e qeverisë e cila duhet te hartojë politika të tilla të ashpra, të cilat ti përgjigjen me të njëjtën frymë krimit urban.
Politika të cilat kanë të bëjnë me ashpërsimin edhe më shumë të ndëshkimit të autorëve të cilët kryejnë krime të tilla, siç është krimi në familje, vrasja e gruas vrasja për motive xhelozie, ashpërsimi ndaj një instituti që është unik në botë siç është gjakmarrja e papranueshëm për një shoqëri civile dhe demokratike. Gjakmarrja është një institut që duhet të marrë fund dhe qeveria do të bëj të gjitha përpjekjet që ndëshkimi i atyre që kryejnë krim për gjakmarrje të jetë maksimal. Po ashtu një ndëshkim më të ashpër duhet të kenë mbajtësit e armëve pa leje për shkak se është burim kryesor i vrasjeve. 95 përqind e vrasjeve ndodhin me armë zjarri, ndaj duhet ndërprerë që në burim ky proces. Pikërisht ky është qëllimi i ministrisë së drejtësisë të ashpërsojë politiken penale ndaj këtyre veprave. Kemi një paketë e cila ka përfunduar në hartimin e saj në draftin e parë. Muaj shkurt ka qenë muaj i diskutimeve dypalëshe me aktorë të tjerë të sistemit. Janë zhvilluar diskutime dypalëshe me Prokurorinë, me Ministrinë e Brendshme, me Këshillin e Lartë të Drejtësisë me komunikimin në Facebook në faqen time zyrtare. Kanë ardhur me qindra e qindra komente e sugjerime te cilat përgjithësisht mbështesin çështjen e ashpërsimit të kësaj pakete. Do të jete paketa më e ashpër ndaj krimit urban në këto 20 vjet. Një nga risitë kryesore do të jetë ashpërsimi i sanksionit maksimal që ka të bëj me dënimet të cilat ne i njohim dhe janë në traditën e kodit penal deri në 25 vjet por do të rriten në 38 vjet deri në 40 vjet.
Pra dënimi prej 25 vitesh nuk do të jetë më pjesë e kodit penal?
25-a do të jetë për një seri krimesh të cilat dhe ato janë shumë të rëndësishme për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike për qytetarët të cilat janë thelbësore për jetën e tyre. Por për disa vepra të tjera siç është vrasja e policit, vrasja për gjakmarrje, vrasja e zyrtarëve, vrasja në familje, të cilat shoqërohen dhe me një rrethanë rënduese, atëherë do të ketë një dënim jo më pak se 38 vjet pra do të ketë një limit 38 deri në 40 vjet dënim ose burgim të përjetshëm. 25 vite dënim do të mbeten për një seri tjetër veprash penale.
Dhuna në familje çfarë do të ndryshojë dhe deri ku do të konsistojë masa e dënimit të cilët kryejnë krim brenda familjes?
Për dhunën në familje kemi një qasje të dyfishtë, e para që përsa i përket parandalimit të dhunës në familje,nga 1 marsi fillojmë paketën e dënimeve alternative apo masave alternative të cilat parandalojnë kryerjen e krimeve. Nëpërmjet monitorimit elektronik me chip të këtyre personave që do të thotë që gjykata në raste se vendos një urdhër mbrojtje ndaj gruas dhunuesi ose ai që pretendohet të jetë dhunues, do ti vendoset një rrip sigurimi i cili do të jetë i monitorueshëm dhe në momentin që ai do ti afrohet banesës së bashkëshortes apo asaj që ai pretendon të dhunojë, menjëherë në një kohë rekord do të njoftohet policia dhe do të bëjë parandalimin e krimit në mënyrë që të mos përsëriten situata të tilla si ato të disa muajve më parë ku edhe pse kishte një urdhër mbrotje agresori arrinte të vriste viktimën apo të ushtronte dhunë ndaj viktimës.
Kjo do të jetë një nga risitë kryesore të monitorimit elektronik, ne jemi vendi i parë në rajon që instalojmë monitorimin elektronik edhe për dhunën në familje, për të mos thënë që vende të Bashkimi Europian numërohen me gishta në këtë proces të monitorimit elektronik. Nga data 1 Mars shërbimi i provës do ti deklarojë gjykatës dhe prokurorisë që është gati bashkë me stafin, bashkë me të gjithë infrastrukturën që të filloj instalimi i sistemit të monitorimit me chip elektronik. Për të dënuarit por dhe për personat të cilët kanë një urdhër mbrojtje kjo do të parandalojë nga njëra anë kryerjen e këtyre veprimeve, pret në burim dhunën por nga ana tjetër për të gjithë ata që kryejnë një vepër të tillë dënimet do të varjojnë jo më nga 5 deri 15 apo 15 deri ne 25 vjet, por dënimi do te jete 38 vjet ose burgim i përjetshëm. Dikush që tenton të vrasë bashkëshorten e vet dhe sigurisht vërtetohen të gjithë elementët e tjerë. Ligji jep sanksionin është gjykata që jep vendimin, por në qofte se plotësohen elementët e tjerë të veprës penale gjykata nuk do ta ketë mundësinë më ta japë më pak se 38 vjet dënimin. Ai që mendon me mendjen e vet kriminale të kryeje një krim të tillë duhet ti bëjë mirë llogaritë sepse ajo që e pret është gjithë jeta pas hekurave gjithë jeta ne burg
Le te ndalemi pak tek armëmbajtja pa leje të paktën nga statistikat për vitin 2012 janë kapur rreth 950 veta me armë zjarri të ndryshme pa leje dhe pjesa dërrmuese janë liruar nga gjykatat. Çfarë do të ndodhë me këta persona do të kemi sërish persona të cilët do të mjaftohen vetëm më gjobë nga ana e gjykatave ?
Faleminderit për pyetjen. Eshtë një nga çështjet më të rëndësishme që shqetëson sot shoqërinë shqiptare dhe unë sot jam shumë i vendosur që të kemi një sanksion sa më të ashpër ndaj të gjithë atyre që mbajnë armët pa leje në publik. Mendoni pak ju, ne të gjithë kemi familje, fëmijë të gjithë i kemi nisur fëmijët në shkollë dhe të mendosh qoftë edhe për një moment të vetëm që në atë shkollë në atë ambient, në atë supermarket do të jetë një person me armë pa leje bëhet fjalë për persona që kanë një mendje kriminale.
Ai që del me armë në brez në mes të qytetit ka patjetër një mendje kriminale, ky fakt që fëmijët do të jenë nën rrezikun e një personi me armë pa leje me mendje dhe qëllime kriminale sigurisht bën që të gjithë prindërit të drithërohen në ato momente pavarësisht nëse ndodh apo nuk ndodh. Pra siguria publike ulet. Ndaj jam shumë i vendosur që ndaj të gjithë mbajtësve të armëve luftarake pa leje në publik dënimi të jetë jashtëzakonisht më i ashpër, mos të ketë dënim me gjobë mos të ketë dënim jo më pak se 10 vjet me burgim. Sigurisht që kodi penal duhet të bëj dhe klasifikimet dikush që kapet me kallashnikov në mes të bulevardit duhet të ketë një masë dënimi jo më pak se 15 vjet dhe në qoftë se ne i bëjmë ligjet e tilla strikte sa më të ashpra, atëherë dhe aktoret e tjerë të sistemit do ta kenë të pamundur të përfitojnë nga hapësirat e ligjit , këtu e kam fjalën edhe për avokatët , gjyqtarët prokurorët.
Në qoftë se ka një masë dënimi jo më pak se 10 vjet për atë që kapet me armë në brez në mes të bulevardit apo në automjet në mes të bulevardit sigurisht dënimi minimal do të jetë jo më pak se 10 vjet. dhe nuk do të ketë mundësi gjykata as ta lirojë por as mos ta dënojë më pak se 10 vjet . Ndodh qe edhe në vrasje nga të gjitha statistikat gjykata jep dënimin për vrasje duke anashkaluar dënimin për armë, dhe pa e menduar edhe pa e analizuar vrasja me paramendim do pikërisht pajisjen e personit me armë dhe vendosjen në mendjen kriminale të tij. Që sot në mëngjes është ngritur për të krye një vrasje. po sigurisht buron edhe përgjegjësia e personit pikërisht për mbajtjen e armës, dhe ky do të jetë veprim i dënueshëm, ndërkohë që aktualisht gjykata e bën me thithje dënimin nuk do të ketë më procedura të tilla. Pra paketa e ardhshme penale Spartak konsiston në përcaktimin sa më të ashpër të ligjeve dhe mbylljen e të gjitha hapësirave që aktorët e sistemit të drejtësisë mund të shfrytëzojnë pikërisht në favor të këtyre personave. Paketa e ardhshme do të jetë në dëm të këtyre personave.
Krimi ordiner ose i njohur ndryshe si krimi i rrugës, ata persona qe vjedhin me dhune ne ambiente publike. kemi një rast nga viti i shkuar kur shtetasja Fatbardha Tafa u vra teksa një person përpiqej ti vidhte varësen e floririt. Çfarë do të ndodh me këta persona të cilët janë përsëritës në krimet që kryejnë,vjedhjen me dhunë, vjedhjen nën kërcënimin e thikës apo të armës?
Për pak minuta nuk mund ti trajtojmë të gjitha. Do të kemi një tryezë të gjerë publike në lidhje me ndryshimet në kodin penal dhe sigurisht paketa e reformës në drejtësi dhe ajo penale nuk përfundon as në një muaj as me një vit sepse sigurisht ajo do të vijë duke u përmirësuar kohë pas kohe. Por ne kapim një target të caktuar. Në lidhje me rastet e kësaj natyre ku kemi të bëjmë më përsëritës. Përsëritja është një rrethanë rënduese. rritja e sanksioneve do të jetë. Në rast se kryen një vepër penale dhe nuk je përsëritës dënimi mund të jetë 28 vjet por në rast se kryen veprën penale dhe je përsëritës duke pasur kështu një rrethanë rënduese, automatikisht dënimi të shtohet dhe me 10 vjet të tjera pra nga 28 vjet shkon në 38 vjet dënim. Kjo do të jetë një masë dhe reagim shumë i ashpër i shteti ndaj këtyre keqbërësve ndaj këtyre personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore me qëllim sigurinë publike. Këto janë paketa të cilat kanë dhëne efekt të jashtëzakonshëm në reduktimin e krimit ordiner në Angli kjo pakete është kryer ne vitet 1998 -1999 dhe në Australi pak më vonë. Në të dyja rastet ka ardhur më një reduktim të ndjeshëm të krimit ordiner. Kjo paketë shoqërohet dorë pas dore dhe me realizmin e masave të tjera alternative pra paketat kriminale kanë një qasje të dyfishtë, rritjen e ashpërsimit të politikës penale duke lënë për vite e vite pas hekurave të gjithë personat që kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore por nga ana tjetër në mënyrë që kjo mos të kthehet në bombë sociale dhe financiare për shtetin ,pasi dihet se siguria publike ka koston e saj. pra burgjet kanë kosto e cila nuk është e ulët. Atëherë përdoren dhe masa të tjera alternative që për vepra të cilat janë me rrezikshmëri të ulët shoqërore të përdorim alternativat e tjera si shërbimi i provës dhe monitorimi elektronik me chip.
Z.Ministër doja të ndalesha dhe në disa pika të tjera të cilat kam menduar se janë të rëndësishme për tu trajtuar. A do të kemi ashpërsim të dënimit për fushën e korrupsionit për zyrtarët e lartë?
Absolutisht dhe kjo është në qendër të vëmendjes sepse ajo që ndodh është që një person i cili kryen korrupsion bën llogaritë se mund t’ia hedh lehtë, apo mund të fshihet dhe kjo padyshim duhet të ketë edhe një përgjigje po aq të fortë në paketën e ashpër të drejtësisë penale. Duke e kaluar gjykimin e këtyre çështjeve në gjykatën e krimeve të rënda duke e cilësuar korrupsionin si një krim të rëndë. Kjo do të jetë përgjigjja më e mirë ndaj atyre zyrtarëve që në mëngjes e nisin ditën me mendjen korruptive se sot do të bëjnë korrupsion duhet ti bëjnë llogaritë njëlloj si ai që niset për të krye vrasjen dhe ai që niset për të kryer korrupsion. Duhet ta masi mirë veten zyrtari para se të kryej një veprim të tillë për veten e tij dhe për familjen e tij të mendojë për dënimin e jashtëzakonshëm që do të marrë nga gjykata e krimeve të rënda njëlloj si bandat e organizuara. Prandaj dhe kjo pikë do të ketë një vëmendje shumë të veçantë në paketën e drejtësisë penale në këtë vit.
Për sa i përket aksidenteve rrugore, kemi një numër të shtuar të personave të cilët kryejnë nën ndikimin e alkoolit dhe me shpejtësi tej normave të lejuara aksidente me pasojë vdekje, dalin nga burgu pas një vit ose pas 6 muajsh? Çfarë mund të ndryshojë në këtë pikë?
Këtu neni 290 i kodit penal i cili bën fjalë për vdekjet apo vrasjet për shkak të aksidenteve është shumë i përgjithshëm dhe i bën aktoret e drejtësisë që të lëvizin ajo që kemi menduar dhe parashikuar ne ka të bëjë me kualifikimin dhe saktësim më të qartë të kësaj vepre pra rastet kur ndodh për këtë shkak apo një shkak tjetër kur ndodh plagosja e një personi, plagosja e dy personave, aksidenti me vdekje. Pra në rast se ne bëjmë një shkallëzim ne i japim mundësinë dhe gjykatës dhe prokurorisë që të bëj një klasifikim më të mirë të veprës penale por japin një ndëshkim më të merituar ndaj atyre personave të cilët me mendjen e tyre kriminale kryejnë një veprim të tillë. Përgjithësisht aksidentet me vdekje shkaktohen nga pakujdesia pra ku mungon qëllimi kriminal. Sigurisht do të ketë klasifikim akoma më të mirë por jo ashpërsim të tejskajshëm por ndërkohë dhe ata që kryejnë një vepër penale nga pakujdesia të mos jenë në një ndëshkim kaq të fortë penal.
A do të kemi një riformulim të nenit për mbajtjen e lëndëve narkotike, hashashit heroinës dhe kokainës?
Dhe për këtë ka një rishikim në pjesën ë mbajtjes së lëndëve narkotike ku sigurisht që substancat të cilat nuk janë të një niveli të lartë të përmbajtjes narkotike dhe që mund të jenë për përdorim personal nuk do të ketë një dënim të ashpër. Por dhe këtu do të ketë një ndërhyrje jo shumë të madhe por që të bëj këtë klasifikimin e mbajtësit,sasisë dhe klasifikimin e përqendrimit të lëndës narkotike. E thënë ndryshe ligjvënësi do të bëj ndarjen e anës subjektive nëse ka një qëllim kriminal për t ua dhënë fëmijëve apo persona të tjerë apo e ka qëllim për të dëmtuar veten e tij , në aspektin e përdorimit vetjak. Ajo që qeverisë dhe publikut i intereson është siguria publike në qoftë se nuk kemi një cënim të sigurisë publike dënimi nuk mund të jetë i ashpër dënimi nuk mund të jetë nësoj si ai që kapet me 10 gramë hashash në shtëpi si njëri që kapet me 20 doza për t’ua shpërndarë të tjerëve sigurisht ka një qëllim kriminal dhe dëmton sigurinë publike.
A keni një mendim për riformulimin e “institutit të gjykimit në mungesë”, shumë çështjeve zvarriten shkatërrohen te pandehurit nuk e marrin dënimin e merituar?
Të gjitha çështjet dhe institutet që kanë të bëjnë me procedurën penale janë në një paketë tjetër pasi ky kod do një rishikim akoma më të thellë ka filluar prej një viti rishikimi i kodit penal në bashkëpunim me OPDATIN dhe EURALIUS të cilët po punojnë prej një vit dhe produkti do të jetë në një kohë të dytë .Nuk besoj se do të arrijmë dot që brenda muajt prill të kemi paketën e ndryshimeve në kodin e procedurës penale sepse rishikimi është akoma më i komplikuar dhe do një mendim më të specializuar dhe një konsultim akoma më të gjatë kodi i procedurës penale do të jetë në një moment të dytë për tu rishikuar.
Kur do të përfundoj paketa e ndryshimeve në kodin penal?
Deri në fund të muajt shkurt presim mendimet e aktorëve të brendshëm të sistemit dhe në javën e parë të muajt mars do të kemi tryezën për konsultim publik në prani të medias dhe të gjithë aktorëve për ta diskutuar. Më pas çështje e javëve në vazhdim do të jenë vendimtare për ta dërguar në qeveri dhe më pas në parlament.
Pavarësisht ndryshimeve ligjore të ndodhura, problematikat e pjesëmarrjes se avokatëve ne séance seanca gjyqësore vijon të mbetet një shqetësim për shumë çështje të bujshme. Ka një ankesë publike të gjykatës së krimeve të rënda?
Ligji ka qenë një përgjigje e qartë ndaj thyerjes së disiplinës së avokatëve . Para disa ditësh jam njoftuar nga dhoma kombëtare e avokatëve që ka ngritur komisionin e disiplinës për të marrë masa ndaj të gjithë avokatëve të cilët përdorin togën e tyre për të devijuar dhënien e drejtësisë. Kam besim të plotë që dhoma kombëtare e avokatëve me komisionin që sapo e ka ngritur do të qëndrojë me rigorozitet parashikimeve të ligjit që ne bashkë me ta i bëmë sipas modelit britanik dhe besoj se kjo farsë e avokatëve që zvarrisin duke abuzuar me togën e tyre me licencën e tyre do të marrë përgjigjen e merituar nga dhoma kombëtare e avokatisë.
Pra ndryshimet nuk kanë dështuar sipas jush?
Absolutisht, sapo kane filluar të implementohen sepse ishte parashikuar hyrja në fuqi shkallë shkallë, muaj pas muaj me konsolidimin e institucioneve dhe institucionet e disiplinës sapo janë konsoliduar nga dhoma kombëtare e avokatëve.
Zoti Ministër ju falenderojmë për kohën e kushtuar!
Faleminderit dhe ju Spartak
Nga: SPARTAK KOKA