Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi nëpërmjet faqes së tij në ‘Facebook’ propozon masa ndëshkuese më të ashpra për personat që kapen me armë në rrugë apo banesë. 
 

“Një mik i imi më shkroi sot në mëngjes në lidhje me “Paketën e refomës në drejtësinë kriminale”, se dënimet për mbajtësit e armëve duhet të ashpërsohen edhe më shumë. Unë gjykoj se ai ka drejtë. Nëse ne shohim shpesh kronikat e zeza, vrasjet më të shumta ndodhin me armë zjarri. Por ajo që unë mendoj është se duhen bërë disa klasifikime në lidhje me këtë cështje. Nëse dikush kapet me armë në rrugë, qëllimi kryesor, kriminal i tij, është të vrasë dikë! E nëse duhet të zbrapsim krimin e vrasjes, cilido qoftë ai, atëherë dënimi për ata që kapen me armë në rrugë, në ambiente publike nuk mund të jetë më pak se 10 vjet. Ne nuk duhet të presim që ai të vrasë dhe pastaj ta dënojnë gjykatat, përpos vrasjes edhe për mbajtje pa leje të armëve luftarake. Gjithkush që mund të kapet me armë në banesë, mund të ketë një dënim më të lehtë se ai i mësipërm, por jo më pak se 5 vjet, shumë herë më rëndë se ajo që është sot”, shkruan Halimi. 
 

Ai propozon deri në 25 vite burg për këdo që kapet me tritol e lëndë plasëse. 
 

“Gjithkush që kapet me lëndë luftarake në banesë, apo gjithkund tjetër, materiale shpërthimi dhe tritol, nuk duhet të dënohet më pak se 25 deri në burgim të përjetshëm. Ne nuk duhet të presim që ai të hedhë në erë ndonjë qytetar, apo një funksionar, të presim pasojën dhe pastaj të reagojmë. Sigurisht që pasoja është një rrethanë rënduese më tepër, që duhet të ketë edhe një dënim tjetër po aq të rëndë. Por subjekti që kapet me lëndë plasëse, apo mjete që ndihmojnë në vendosjen e bombave dhe tritolit, nuk mund të ketë një dënim më pak se 25 vjet”, tha Halimi më tej.