“Alternativa e Edi Ramës dhe e Partisë Socialiste, bllokues të zhvillimit të vendit”
Durrës, 31 maj 2013 – Të rinjtë dhe të rejat e zonës së Shkozetit në Durrës kanë pritur kandidatin demokrat për deputet dhe ministrin e drejtësisë Eduard Halimi, i cili u shpreh i sigurtë në fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit pasi “Partia Demokratike dhe qeverisja e saj janë fjalëmbajtur.” “Ne premtuam dhe mbajtëm fjalën e dhënë, – tha kandidati Eduard Halimi. – Premtuam hapjen e një universiteti në Durrës dhe sot ai është realitet, universiteti i Durrësit sot ka 17 000 studentë. Ne premtuam gjithashtu hapjen e vendeve të punës dhe e mbajtëm fjalën, siç e mbajtëm fjalën për rrugët, ujësjellësat, kanalizimet, shkollat, qendrat shëndetësore.” Por, përballë alternativës së Partisë Demokratike qëndron alternativa e Edi Ramës që, sipas kandidatit Eduard Halimi, janë “bllokues të zhvillimit të vendit.” “Ju e mbani mend, ata ishin kundër hapjes së universitetit në Durrës, – tha Eduard Halimi. – Po ashtu, ju e mbani mend, Edi Rama dhe Partia Socialiste ishin kundër liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian, ata bënë gjithçka kundër liberalizimit të vizave. Ata ishin edhe kundër uljes së taksave për biznesin. Por, pikërisht me uljen e taksave dhe incentivimin e biznesit ne hapën mijëra e mijëra vende pune. Pa dyshim që alternativa e Edi Ramës dhe e Partisë Socialiste është bllokuese e zhvillimit të vendit.”
Në këtë takim të kandidatit demokrat Eduard Halimi me të rinjtë në Shkozet, afro 200 prej tyre u bënë edhe anëtarët më të rinj të Partisë Demokratike. Teksa merrnin në dorë kartat e anëtarësimit, edhe ata shprehën besimin në fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit. Ministri i drejtësisë Eduard Halimi i përgëzoi të rinjtë për zgjedhjen që kishin bërë, duke thënë se
“Ju iu bashkuat Partisë Demokratike dhe kryeministrit Sali Berisha, iu bashkuat alternativës së punës. Ne do të bëjmë edhe më shumë katër vitet e ardhshme, – premtoi Eduard Halimi. – Ne nuk do të ndalemi derisa çdo i ri të ketë një punë të mirëpaguar, ne nuk do të ndalemi në rrugën tonë përpara për zhvillimin e vendit.”
Qarku i Durrësit përfaqësohet nga 13 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë dhe ministri i drejtësisë Eduard Halimi kryeson listën e kandidatëve të Partisë Demokratike në këtë qark.





