Pas Tiranës, Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka përuruar nisjen e projektit  “One Stop Shop” për noterët në Durrës duke krijuar në këtë mënyrë më tepër lehtësira për shit-blerjet e pronës. Tashmë procedurat e gjata për të shitur një shtëpi, një pronë apo një makinë do të marrin fund. Qytetarët do të mund t'i kryejnë të gjitha këto veprime me vetëm një takim tek noteri, i cili do të ketë akses në të gjitha të dhënat me anë të një sistemi të ri, që nisi sot punën në Durrës. 

Sistemi “One Stop Shop” do t’u kursejë qytetarëve kohë fizike dhe vlerë monetare, pasi të gjitha procedurat që më parë zgjasnin me ditë të tëra tani do të kryhen në një ditë të vetme dhe brenda pak minutash. Noterët të cilët kanë filluar zbatimin e këtij projekti janë të siguruar në kompani sigurimi, të cilat do të dëmshpërblejnë qytetarët. Ministri Halimi e vuri theksin në rëndësinë që ka ky projekt. Ndërsa asistoi në prezantimin e projektit on-line ministri u shpreh se “qytetarët durrsakë nuk kanë nevojë t’i drejtohen Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, por noterëve, pasi në sajë të dixhitalizimit të regjistrave të gjitha procedurat do të kryhen nga noterët”.

Sipas Halimit, nëpërmjet këtij sistemi zhduken edhe abuzimet që mund të bëhen nga biznesi, qytetari apo zyrat shtetërore, duke bërë që askush të mos i shmanget detyrimeve fiskale të vendit. Ky projekt pas Tiranës e Durrësit do të shtrihet edhe në 8 zyra të Regjistrimit të pasurive të paluajtshme në vendin tonë.