TIRANE, 2 qershor 2013 – Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka njoftuar sot se një nga ligjet e para që do të miratohet në shtator do të jetë reforma e kodit të procedurës penale.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Halimi thekson se së shpejti drafti final do të konsultohet me aktorët e drejtësisë.

“Një grup ekspertësh në Ministrinë e Drejtësisë, së bashku me disa organizata partnere, prej 1 viti janë duke punuar për një nga reformat më të rëndësishme në drejtësinë penale: Reformimin e Kodit të Procedurës Penale. Drafti final do të jetë shumë shpejt për konsultim me ju dhe aktorët e drejtësisë. Por konsultimi paraprak me ju, për disa prej çështjeve, si vepruam me paketën e Kodit Penal, mbetet shumë i rëndësishëm” thekson Halimi.

Ministri thekson më tej se në sajë të kësaj pakete, kodi do pësojë ndryshime të mëdha që sipas tij janë më thelbësoret në këto 15 vjet. Ndërsa ka paraqitur të gjitha këto ndryshime, ministri

Halimi thekson se këto çështje por dhe shumë të tjera të cilat do të diskutohen në javët në vijim, do të përbëjnë reformën më të thellë në fushën e hetimit penal në këto 15 vjet.

“Procesi i hetimit të krimeve duhet të reformohet, që hetimi të jetë më efikas, më i shpejtë në zbulimin e së vërtetës.Ajo që qytetarët kanë nevojë të dinë një orë e më parë është e vërteta e një ngjarje, pa pritur me vite të tëra për zbulimin dhe ndërshkimin e autorëve. Policia gjyqësore dhe institutet i marrjes, kërkimit dhe analizimit të provave duhen reformuar. Të implementojmë Institutin e “marrëveshjes paraprake të pranimit të fajit”. Një model që do të përshpejtojë hetimet dhe do lehtësojë gjykimin dhe dhënien e drejtësisë penale efektive. Duhet reformuar Instituti i gjykimit të shkurtuar. Qëllimi për të cilin u vendos shumë vite më parë ka deformuar dhënien e drejtësisë. Në pjesën më të madhe të rasteve, ky institut ka shërbyer për shmangien e dënimit dhe dhënies së një drejtësie penale efektive. Korrupsioni duhet të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Qytetarët duhet të shohin çdo ditë se ata që abuzojnë me fonde publike apo shërbime ndaj tyre, qofshin në administratën qëndrore apo lokale, të gjykohen shpejt, por dhe me dënim të gjatë si shprehje e një drejtësie penale efektive” shkruan Halimi.