DURRËS, 4 qershor 2013 – Kryetari i grupit të punës të Partisë Demokratike për Qarkun e Durrësit, kandidati Eduard Halimi, ka zhvilluar, më 3 qershor 2013, një sërë takimesh elektorale në zonën e Fushë-Krujës, njofton zëdhënësi i Këshillit të Qarkut dhe i fushatës së PD Durrës, Naim Hoti.

I shoqëruar nga kandidati Gent Strazimiri, Eduard Halimi është shprehur i bindur për rikonfirmimin e mbështetjes për Partinë Demokratike nga banorët e Thumanës dhe Borizanës në zgjedhjet e 23 qershorit.

Eduard Halimi premtoi asfaltim të çdo metri katror të rrugëve të këtyre fshatrave, furnizim 24 orë me ujë të pijshëm dhe përfundimin e linjës 20 kilovolt për zonën e Borizanës.

Duke deklaruar se Partia Demokratike do të marrë një votë plebishitare në zgjedhjet e 23 qershorit, Eduard Halimi premtoi në Thumanë alternativën e zhvillimit nëpërmjet favorizimit të klimës për biznesit dhe, si rrjedhim, hapjen e vendeve të reja të punës.

“Alternativa anti-biznes e Ramës, – tha Eduard Halimi, – shkon drejt papunësisë dhe pamundësisë së mundësive për punësim”.

Ai u premtoi banorëve të Thumanës se Partia Demokratike do të elaborojë planin e saj për zgjidhjen e problemit të pronës.

Këtë plan, kryetari i grupit të punës, e forcoi më tej edhe në takimin me banorët e Borizanës, ku premtoi edhe dhënien e tapive të pakontestueshme, të cilat do të regjistrohen në regjistrin elektronik të pronës.

Duke iu drejtuar fermerëve, deputeti Eduard Halimi tha se “ne do t’ju japim në dorë subvencionin, sepse Partia Demokratike do të çojë përpara programin e saj për zhvillimin rural, duke ndihmuar drejtpërsëdrejti fermerët, ashtu sikurse gjatë këtij mandati qeverisës janë realizuar 42 mijë projekte për fshatin.”

/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/