Halimi: Do votojmë për kryeministrin që ia ka kushtuar punën integrimit të Shqipërisë
DURRES, 9 qershor 2013 – Kryetari i grupit të punës së Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit, Eduard Halimi, së bashku me kandidatin për deputet Oerd Bylykbashi, janë ndalur në zonën e ish-Kënetës. Nën atmosferën entuziaste të një zone që është prej kohësh bastion i Partisë Demokratike, ata kanë falenderuar banorët për mbështetjen e dhënë ndër vite. Gjatë fjalës së tij, Eduard Halimi ka premtuar shtrimin e të gjitha rrugëve të brendshme të zonës dhe ndërtimin e të gjithë infrastrukturës së nevojshme, gjë që do të bëhet e mundur me anë të miratimit të një ligji të ri, i cili do t’i japë kompetencën qeverisë qëndrore për të kryer investime publike, kur bashkia e qytetit nuk përgjigjet për nevojat e qytetarëve.
“Ne do të ndërhyjmë me ligj për të përmbushur çdo detyrim që kemi ndaj jush, sepse ne nuk mund të lejojmë që Vangjush Dako, që e ka lënë këtë zonë për faqe të zezë dhe ai tjetri që është shofer autobuzi pa patentë, mos t’u përgjigjet problemeve të qytetarëve, – tha Eduard Halimi. – Modeli i Dakos është i njëjti model i Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës, por qytetarët e ndryshuan këtë model duke votëbesuar Lulzim Bashën, i cili i shtroi rrugët e Tiranës cep më cep.”
Eduard Halimi u premtoi qytetarëve sistemimin e këtyre zonave në dy vitet e para të mandatit të tretë.
Përpara banorëve të ish-Kënetës, kreu i grupit të punës për Qarkun e Durrësit tha se më datën 23 qershor qielli do të jetë blu. Ai u shpreh i sigurtë për fitoren e Partisë Demokratike.
“Ne do të votojmë për një kryeministër që i cilëson fëmijët shqiptarë si inteligjentë dhe jo për një kryeministër që thotë se fëmijët shqiptarë janë injorantë, – tha kandidati Eduard Halimi.
“Ne do të votojmë një kryeministër që e ka renditur Shqipërinë si destinacionin e parë turistik për këtë vit. Ne do të votojmë një kryeministër që mbështet investitorët, punësimin dhe mirëqënien. Kam besimin e plotë se shqiptarët do të duan në krye të qeverisë një kryeministër i cili ka firmosur gjatë gjithë jetës së vet integrimin e Shqipërisë dhe jo një kryeministër që nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka bllokuar këtë proçes. Ne do të votojmë kreyministrin që liberalizoi vizat dhe që do të bëjë të mundur liberalizimin e vizave me SHBA-në.”
Gjatë fjalës së tij kandidati që kryeson listën e deputetëve të Partisë Demokratike për Qarkun e Durrësit u premtoi qytetarëve punësimin, mirëqënien dhe integrimin e Shqipërisë.
Eduard Halimi ka zhvilluar takime elektorale edhe me banorët Ishmit, Manzës, Perlatit dhe të disa lagjeve të tjera qytetit të Durrësit.





