TIRANE, 05 mars 2013 – Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ka iniciuar sot nismën e tij më të re, “1 orë Ministër Drejtësie”
Kjo nismë do të jetë në shërbim të studentëve të Drejtësisë, por jo vetëm, të cilët ftohen nga Halimi të shkruajnë një ide të tyren, në faqen e tij në Facebook, duke filluar me “Sikur të isha Ministër Drejtësie …”
“Mirëpres çdo mendim dhe me shumë kënaqësi, shkruesit e ideve më interesante do jenë të ftuarit në zyrën time, për të “qeverisur” Ministrinë e Drejtësisë 1 orë së bashku .”- shkruan Halimi në Facebook.
Nga ana tjetër Halimi ka theksuar se referendumi për paketën e drejtësisë kriminale ka gjetur një mbështetje të gjerë tek të gjithë miqtë e tij në Facebook.
“Me mijëra mesazhe kanë ardhur tek unë duke më inkurajuar për mbrojtjen që i bëjmë policisë dhe dënimet më të ashpra që duhet të vijnë për ata që sulmojnë dhe vrasin policin. Kjo do të jetë paketa më e ashpër ndaj krimit në këto 20 vjet në mbrojtje të policisë së shtetit dhe sigurisë publike”- shkruan ministri i Drejtësisë.





