Tiranë, 5 nëntor 2013- Partia Demokratike kërkon anulimin e zgjedhjeve për Bashkinë e Korçës pas publikimit të një videoje ku studentët paguheshin me 2 mijë lekë në këmbim të dhënies së votës për kandidatin socialist Sotiraq Filo. Pas transmetimit të videos në emisionin “Fiks Fare” në Top Channel, deputeti i PD-së, Eduard Halimi, kërkoi ribërjen e zgjedhjeve në këtë njësi vendore.
“Partia Demokratike kërkon anulimin e zgjedhjeve në Korçë dhe përsëritjen e tyre, me kusht që të ofrohen garanci nga vëzhguesit, që Rama dhe të tijtë të heqin dorë nga zakoni i blerjes së votës, siç u pa sot qartë nga të gjithë shqiptarët”.
Në të njëjtën kohë ai i bëri thirrje organit të akuzës që të nisë hetimet për këtë rast.
“Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë që të nisë menjëherë një hetim të plotë e të gjithanshëm, të sekuestrojë menjëherë të gjithë dokumentacionin dhe regjistrat që u panë nga të gjithë shqiptarët në zyrat e PS në Korçë dhe të kërkojë ndëshkimin më të ashpër ndaj të gjithë ekzekutorëve, organizatorëve, urdhëruesve, përfituesve dhe financuesve të këtij akti të rëndë.E gjithë Shqipëria, pa me sy dhe dëgjoi me veshë se si zyrat e Partisë Socialiste në Korçë paguanin ditën me diell 20 mijë lekë për çdo votë, njëlloj si në 23 qershor. Me zë e me figurë, u kapën pagatorët qeveritarë, duke shpërblyer me 20 mijë lekë të vjetra votën në favor të Partisë Socialiste. Zakoni i keq i socialistëve me sa duket vazhdon. Ky denoncim dhe pohimi me zë në zyrat e PS në Korçë, është një tregues tronditës se kjo metodë e Partisë Socialistëve dhe e klientëve të saj financues të fushatës u përdor edhe në zgjedhjet e 23 qershorit”.





