· Portale të ndryshme kanë shprehur hamendje se Rama i kë dhënë miliarderit Zamir Mane gjithë gjirin e Lalëzit
· Ka qenë vetë ish-Kryeministri Sali Berisha që ka dhënë OK qysh para 6 vjetësh, në shtator 2010. Shefi aktual i Qeverisë Edi Rama vetëm sa ka përmbushur “amanetin” e paraardhësit të vet
Nga Thanas Mustaqi
Edhe pse Vendimi i Këshillit të Ministrave (VKM) i 27 korrikut 2016 përcakton lejimin e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës së Hamallajt në gjirin e Lalëzit përgjatë periudhës së sezonit veror 15 maj-30 shtator të çdo viti, për 20 vite, portale të ndryshme afër opozitës me “copy-paste” kanë hamendësuar se Rama ia ka dhënë miliarderit Zamir Mane të gjithë gjirin e Lalëzit për ta privatizuar. Por e vërteta është ndryshe. Ka qenë vetë ish-Kryeministri Sali Berisha që ka dhënë OK qysh para 6 vjetësh, në shtator 2010. Shefi aktual i Qeverisë Edi Rama vetëm sa ka përmbushur “amanetin” e paraardhësit të vet. Mane, si biznesmen i fuqishëm, i ka mbajtur marrëdhëniet shumë të mira me të gjithë krerët e qeverive shqiptare.
RETRO
Berisha: Bregdeti, jo më male betoni por pisha e ullinj
“Urdhri është i prerë.”- tha më 3 shtator 2010 paradite kryeministri në mbledhjen e Këshillit të Rregullim Territorit në Republikën e Shqipërisë, njëkohësisht kryetar i KRRTRSH-së, citoi BBC. “Duhet të heqim dorë përfundimisht nga ndërtimet mbi trekatësh në brigjet tona. Kemi 92-94 pë e brigjeve për të zhvilluar. Të synojmë të mbetemi te dy tre katet në tërësinë e projekteve zhvillimore”
Gjatë diskutimit për resortin “New Born” në fshatin Hamallaj të Durrësit zoti Berisha kërkoi përcaktimin me ligj të distancës, në të cilën mund të tolerohen ndërtesa me shumë kate.
“Nuk mund të them tre dhe vetëm tre kate. Në rast se është 1000 metra nga buzuji në rrafshin, por në tërësi në zona si kjo duhet të përmbahemi lartësisë trekatëshe. Kjo është e domosdoshme.”- vazhdoi kryeministri.
Përgjatë vijës bregdetare kryeministri kërkoi mbledhjen sa më shumë të pishave dhe të ullinjve. Për resortin “New born” me sipërfaqe 1. 800.080 metër katror në fshatin Hamallaj të Durrësit, brezi i parë duhet të jetë me pisha, të tjerat me ullinj. “Duhet të mbillet numri i madh më i mundshëm i ullinjve" .
Kryeministri urdhëroi gjithashtu dhe ndalimin e praktikave që vijnë në KRRTRSH për zona për ndryshim destinacioni pa pasur të përcaktuar katet e ndërtesës. “Kjo praktikë nuk do të mund të ekzistojë më. Çdo lloj kërkese, që do t”i bëhet Këshillit Kombëtar të Rregullimit për ndryshim destinacioni, do paraqesë me transparencë katet, gjelbërimin, të gjithë hapësirën". “Nuk do lejojmë me malet e betonit”- foli prerë kryeministri duke u kërkuar që për cdo kërkesë të jepen detajet e projektit.
"Sepse i sjellin me zero ndërtim dhe i çojnë në 35 kate”- tha ai.
Gjatë mbledhjes Berisha preku dhe çështjen e derdhjes së ujërave të zeza në zonat bregdetare të Durrësit. Nëse nuk ndërtohet kolektori qendror nga Kepi i Rodonit deri në Durrës, atëherë çdo resort do të ketë impiantin e tij.
REAGIMI I ZAMIR MANES, MË 28 KORRIK 2016
Investim në troje private dhe jo privatizim trualli e marrje lejesh ndërtimi
E gjykojmë se mënyra më reale e krijimit të një strategjie turizmi të qëndrueshëm në Republikën e Shqipërisë, ashtu si dhe konfirmuar nga konsulentët më të njohur të kësaj fushe, është krijimi i destinacioneve të mirëpërcaktuara turistike në bregdet. Kompania jonë ka përdorur këtë metodë në investimet e veta turistike.
Në legjislacionin e mëparshëm statusi i investitorit strategjik përfitohej vetëm nga investitorët e huaj që zgjidhnin të investonin në turizëm. Me legjislacionin aktual në fuqi prej disa vitesh, këtë status mund ta përfitojnë edhe subjekte shqiptare në kushte të barabarta me të huajt.
Grupi ynë vetëm në resortin “Green Coast” po investon mbi 50 milionë euro. Duke u bazuar në ligjin 55/2015, “Për investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë”, shoqëritë “Green Coast” shpk dhe “Mane TCI” shpk kanë depozituar pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dokumentacionin përkatës për përfitimin e statusit “Investitor Strategjik” për projektet turistike “Green Coast” dhe “New Born”. Dokumentacioni është protokolluar në datë 20/4/2016 me nr. protokolli 1 dhe 2 respektivisht. Midis të tjerave, duke u bazuar në nenin 27 dhe 29 të ligjit 55/2015, “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë”, shoqëritë aplikuese “Green Coast” dhe “New Born” kanë kërkuar edhe mundësimin e marrjes në përdorim edhe të plazhit përballë projekteve turistike në fjalë për të suportuar zhvillimin e mëtejshëm të tyre.
Sqarojmë që në të dy rastet, investimet strategjike janë duke u realizuar në troje private dhe nuk bëhet fjalë as për privatizim të truallit e as për marrje të lejeve të ndërtimit, por thjesht për shmangien e shkatërrimit të mëtejshëm dhe ndotjes së plazheve nëpërmjet marrjes në përdorim të pakontrolluar nga subjekte te treta. Sot të drejtën për marrjen në përdorim të plazheve nga individë apo kompani të palidhura me investimet e qëndrueshme aty pranë, e kanë Bashkitë, të cilat e kanë aplikuar gjatë gjithë vijës bregdetare, shpesh, në mënyrë të paplanifikuar dhe të gabuar. Durrësi është një shembull shumë i qartë.
Në plazhet pranë dhe përballë investimeve tona strategjike, turistike, zhvillojnë në mënyrë kaotike aktivitetin shfrytëzues subjekte të treta, me apo pa leje nga pushteti vendor. Disa imazhe i gjeni bashkëngjitur.
Vendimi i djeshëm i Këshillit të Ministrave na jep si mundësi, aplikimin pranë bashkive respektive për lidhje kontratash përdorimi me afat të përcaktuar të plazheve përballë, por me një çmim shumë herë më të lartë sesa çdo subjekt tjetër aktual që merr një leje shfrytëzimi plazhi nga Bashkia respektive.
Niveli i tarifës së qerasë për kërkuesit e marrjes së plazhit në përdorim është 100 lekë/m2 në sezon turistik (4-5 muaj), ndërkohë që VKM e djeshme i jep grupit tonë të drejtën e përdorimit kundrejt tarifës 100 lekë/m2 në çdo muaj, pra rreth 5 herë më shtrenjtë sesa për subjektet e tjera.
INFO
Resorti “New Born” ndodhet në gjirin e Lalëzit. Ndërkohë që plazhet e Durrësit janë të mbipopulluara, resorti “New Born” është i vendosur në një distancë të konsiderueshme nga plazhi i Durrësit. Do të jetë i rrethuar dhe me një sipërfaqe prej 18 hektarë për një komunitet te caktuar. Ka një sipërfaqe totale ndërtimi prej 23 174 metra katrorë. Ndërtimet që përfshihen në të janë vila 2-katesh dhe godina shumëfamiljare në nivelin e 3 kateve.
Kompleksi përbëhet nga 70 vila dhe nga 140 apartamente. Sipërfaqet e ndërtimit të 5 tipave të vilave variojnë nga 170.8 metra katror deri ne 181.4 metra katror, ndërsa sipërfaqet e parcelave variojnë nga 450-590 metra katror. Çmimet e vilave fillojnë nga 1 100 euro/metri katror deri në 1 300 euro/metri katror.
DOKUMENTI
VKM-ja 27 korrik 2016
Vendim për lejimin e përdorimit të brigjeve në funksion të realizimit të projektit investues strategjik “New Born”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 29, të ligjit nr. 55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave vendosi
1. Lejimin e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse në funksion të realizimit të projektit investues strategjik “New Born”, Hamallaj, gjiri i Lalëzit, i cili ka përfituar statusin e investimit strategjik, procedurë e asistuar, me vendimin nr. 1/15, datë 14.7.2016, të Komitetit të Investimeve Strategjike.
2. Afati për përdorimin e brigjeve, sipas këtij vendimi, të jetë 20 vite duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3. Përdorimi i brigjeve do të kryhet përgjatë periudhës së sezonit veror 15 maj-30 shtator të çdo viti, përkundrejt pagesës së tarifës 100 lekë/metra katror në muaj nga ana e investitorit strategjik, përgjatë periudhës së përmendur në këtë pikë.
4. Të ardhurat e mbledhura nga tarifa për dhënien e së drejtës së përdorimit të brigjeve administrohen dhe bëjnë pjesë në buxhetin e Bashkisë Durrës.
5. E drejta e përdorimit të brigjeve nga ana e investitorit strategjik “Mane TCI”, me NIPT/NUIS K22203004A, koordinatat, sipërfaqja e lejuar për përdorim afatgjatë dhe kushtet e përdorimit bazohen në përcaktimet e bëra në vendimin nr. 1/15, datë 14.7.2016, të Komitetit të Investimeve Strategjike, dhe në përcaktimet e kontratës përkatëse që investitori strategjik duhet të lidhë me Bashkinë Durrës.
6. Ngarkohet Bashkia Durrës për lidhjen e kontratës përkatëse me investitorin strategjik në zbatim të këtij vendimi. Në këtë kontratë parashikohen shprehimisht të drejtat e detyrimet e autoritetit kontraktues dhe të drejtat e detyrimet e investitorit, në funksion të projektit të investimit strategjik.
7. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.





