Udhëheqësi i Hamasit në Gaza, Khalil Al-Hayya, tha në një intervistë për televizionin Al-Aqsa, të transmetuar të mërkurën, se nuk do të ketë marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve për të burgosurit me Izraelin nëse nuk përfundon lufta në territorin palestinez.
“Pa një fund të luftës, nuk mund të ketë shkëmbim të të burgosurve,” tha Hayya.
“Nëse agresioni nuk përfundon, pse rezistenca dhe në veçanti Hamasi do t’i kthejë të burgosurit (pengjet)?” tha ai. “Si do të humbiste një i shëndoshë apo një i çmendur një kartë të fortë që zotëron ndërsa lufta po vazhdon?”
Hayya, i cili udhëhoqi ekipin negociator të grupit në bisedimet me ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit, fajësoi për mungesën e progresit kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili nga ana e tij mban grupin islamik përgjegjës për bisedimet e ngecura.
“Po vazhdojnë kontaktet me disa vende dhe ndërmjetës për të ringjallur negociatat. Jemi të gatshëm t’i vazhdojmë përpjekjet, por është më e rëndësishme të shohim një vullnet të vërtetë nga ana e okupatorit për t’i dhënë fund agresionit”, tha Hayya. “Realiteti dëshmon se Netanyahu është ai që i minon negociatat”, shtoi ai.
Duke folur gjatë një vizite në Gaza të martën, Netanyahu tha se Hamasi nuk do të sundojë enklavën palestineze pas përfundimit të luftës dhe se Izraeli kishte shkatërruar aftësitë ushtarake të grupit islamik.