Me tone të forta, Hamasi ka kërcënuar Izraelin se do të fillojë të ekzekutojë nga një rob izraelit për çdo shtëpi civile që do të sulmohet pa paralajmërim. Njoftimi u bë nga zëdhënësi i Brigadave Qassam në një audio të publikuar të hënën mbrëma.

Abu Obeida pretendoi se grupi deri më tani kishte vepruar në përputhje me “udhëzimet islame” duke i mbajtur pengjet izraelitë të sigurt.

“Ne kemi vendosur t’i japim fund kësaj dhe deklarojmë se çdo shënjestrim i njerëzve tanë në shtëpitë e tyre pa paralajmërim paraprak do të përballet me ekzekutimin e pengjeve të civilëve që po mbajmë,” tha ai. Sipas zëdhënësit të IDF, nënkoloneli Richard Hecht, “dhjetëra” izraelitë u morën peng nga militantët e Hamasit gjatë sulmit të tyre të shtunën.