Këshilli bashkiak i Durrësit, në mbledhjen e tij të rradhës vendosi të favorizonte me 20 pikë familjet që aktualisht banojnë në shtëpitë e ish pronarëve, pas kërkesës së këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak. Pas rreth katër orë debatesh, mes akuzash e kundër akuzash mes këshilltarëve të dy kampeve politike, është vendosur që t’i kërkohet Bankës së Këshillit të Europës të ndryshojë kriteret për personat që aplikojnë për banesë sociale, duke u dhënë më tepër prioritet familjeve që jetojnë në banesat e ish pronarëve. Kështu brenda 50 ditëve të ardhshme pritet përgjigja nëse institucioni monitorues i shpërndarjes së banesave sociale do ta aprovojë apo jo kërkesën e Këshillit Bashkiak të Durrësit. Në këtë mënyrë vijon të mbetet pezull shpërndarja e 125 apartamenteve sociale të përfunduar së ndërtuari rreth 1 vit e gjysëm më parë, por ende të pa shpërndara. Të gjitha procedurat kanë mbetur pezull, sepse kriteret nuk janë vendosur ende. Tashmë pritet që vendimi i miratuar në Këshillin Bashkiak t’i dërgohet Bankës së Këshillit të Europës, CEB, e cila më pas pritet të kthejë përgjigje, e vetëm pas kësaj procedure çështja do të hidhet edhe njëherë për diskutim në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Kryetari i këtij këshilli, Indrit Hamiti, shpjegoi në një intervistë për “Dyrrah” procedurat që do të ndiqen në vazhdimësi.  

Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak të Durrësit u vendos të favorizoheshin përmes sistemit të pikëzimit familjet që banojnë në shtëpitë e ish pronarëve. Çfarë do të përfitojë në këtë rast kategoria e qiramarrësve?

Në Durrës janë 935 familje që jetojnë në shtëpitë e ish pronarëve. Ky problem nuk mori zgjidhje pas viteve ‘90, kur përfituan familjet e tjera. Kjo ka sjellë një problem sa social aq edhe urbanistik, sepse në përgjithësi shtëpitë e ish pronarëve janë ndërtuar në zonat brenda qytetit dhe kanë një arkitekturë relativisht të mirë, por mos gjetja e zgjidhjes për statusin e tyre ka bërë që këto godina të degradojnë.

Duke parë se Akti Normativ i qeverisë parashikon që këto kontigjente përfitojnë nga kreditë me zero interes ose nga programi i strehimit social në banesa sociale mazhoranca në këshill gjykoi që në listën e kritereve për strehim, kësaj kategori t’i japë pikë shtesë. Kjo do të thotë që kur të trajtohen kriteret, përveç pikëve që do të mbledhin në varësi të parametrave të tjerë do të jenë edhe këto pikë shtesë, çka do të thotë që familjet në banesat e ish pronarëve janë të favorizuara.

Debate të shumta u zhvilluan gjatë mbledhjes nga të dy kampet politike. Favorizimi u kërkua nga anëtarët e maxhorancës dhe u kundërshtua nga bashkia…

Debati nuk ishte substancial. Administrata e bashkisë këtë propozim ia ka dërguar një herë CEB-it, institucionit monitorues të Bankës së Këshillit të Europës për ndërtimin e banesave sociale, në një formë tjetër dhe ky institucion nuk ishte dakord me formatin e kërkesës, e për pasojë ia ktheu edhe një herë për shqyrtim Bashkisë së Durrësit. Debati mori formë politike, por ishte debat teknik për formën e propozimit. Administrata nuk ishte e aftë, që të bindte këshillin dhe kështu administrata e bashkisë do t’ia dërgojë edhe njëherë kërkesën donatorit, sipas propozimit të miratuar.

Në fakt propozimi i bërë do kohë të shqyrtohet dhe favorizimi për banorët që jetojnë në shtëpi ish pronarësh vendoset pikërisht nga financuesit, e jo nga Këshilli Bashkiak. Nëse në kushtet e kontratës CEB-i do të aksesojë edhe këto kritere ata mund ta limitojnë këtë si kusht. Do të bëhet rishikimi i kontratës, midis bashkisë, Bankës Botërore, që është investitori i banesave sociale dhe Ceb-it, që monitoron projektin me qeverisjen vendore, e cila del garant për pagesat e kredisë.

Në Durrës kanë përfunduar prej së paku 18 muajsh 125 apartamente për të pastrehët, që financohen nga Banka Botërore. Pse nuk janë shpërndarë deri tani, kur dihet që strehimi është një problem shumë i rëndë social për qytetin e Durrësit?

Banesat do shpërndahen në bazë të kritereve të miratuara nga Këshilli Bashkiak dhe nga CEB-i. Kemi kaq kohë që po bëjmë lart e poshtë për të vendosur për kriteret. E kjo mbledhje e fundit vërtetoi pikërisht këtë gjë, që nuk kemi rënë dakord për të vendosur kriteret për shpërndarjen e tyre. Difekt të madh ka administrata e bashkisë që nuk është e aftë të përpunojë në kohë dokumentacionin.

Nëse administrata e bashkisë do të kishte përfunduar në kohë dokumentacionin, do t’i kishim ndarë në kohë këto apartamente. Teknikisht sot jemi të paaftë për të marrë një vendim, sepse nuk kemi një listë kriteresh të konfirmuara edhe nga donatori i  huaj

Nëse administrata e bashkisë do të kishte përfunduar në kohë dokumentacionin, do t’i kishim ndarë në kohë këto apartamente. Teknikisht sot jemi të paaftë për të marrë një vendim, sepse nuk kemi një listë kriteresh të konfirmuara edhe nga donatori i  huaj. Bashkia në rastin konkret duhet t’i kishte sjellë, sepse morëm një vendim në muajin mars.

Që nga ajo kohë e deri tani nuk kemi një konfirmim për kriteret që kërkojnë donatorët për shpërndarjen e tyre. Është problem që është i lidhur pazgjidhshmërisht me mënyrën si funksionon sistemi i procedurave dhe administrata e bashkisë.

Kur mendohet të shpërndahen apartamentet, pasi në Durrës janë rreth 5 mijë familje të pastreha? Si mund të zbutet ky problem i rëndë social në qytetin tonë?

Sot jemi përpara tre mundësive për subvencionimin e shtresave në nevojë; njëra është kredia e butë me interes 3%, e dyta është mundësia e strehimit në banesa sociale që shpërndahen nga bashkia dhe e treta është kredia me interes zero, që janë të destinuara për familjet që jetojnë me qira në banesat e ish pronarëve. Janë këto tre opsione që të gjithë mund t’i aplikojnë dhe të përfitojnë prej tyre.

Ne kemi marrë vendim si Këshill Bashkiak për 400 kredi të buta në pranverë të këtij viti dhe pas një konsulence të gjatë edhe me Entin e Banesave arritëm të gjejmë gjuhën e përbashkët që këto 400 familje të paraqiten në bankë për të plotësuar dokumentacionin e për të përfituar kredi. Nga 2 mijë familje të evidentuara deri tani nga kërkesat individuale dhe jo nga verifikimet e bashkisë kanë marrë zgjidhje 400 familje. Përveç këtyre, 150 familjeve u aprovuam kërkesën në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak.

Se sa nga këto familje do ta plotësojnë procedurën deri në fund për të marrë kredinë mbetet për t’u parë. Nga ana tjetër kemi 125 apartamente të përfunduara dhe pritet edhe faza e dytë e projektit në bazë të të cilit do ndërtohen edhe 150 apartamente të tjera. Ndërsa për strehimin me kredi zero është Enti i Banesave që vendos. Atje ka filluar procedura për aplikimin e familjeve në nevojë.