Në një prononcim për gazetën “Dyrrah” kryetari i Këshillit Bashkiak të Durrësit Indrit Hamiti ka komentuar zhvillimet më të fundit në Këshillin Bashkiak të Durrësit pas miratimit ët paketës fiskale, në një kohë që pas iniciativës për diskutim me grupet e interesit të paketës fiskale, ka kërkuar që propozimet për buxhetin të vijnë me më shumë se një buxhet ose me disa skenarë. Më tej Hamiti ka komentuar dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me lëvizjet më të fundit politike dhe patriotike brenda apo dhe jashtë vendit

Z. Hamiti, çfarë të reje solli miratimi i paketës fiskale nga Këshilli Bashkiak?

Siç dihet Këshilli Bashkiak shqyrtoi dhe miratoi me shumicë votash paketën fiskale të Bashkisë së Durrësit, së bashku me disa ndryshime të propozuara nga Aleanca për Qytetarin. Mendoj se ishte një proces që erdhi pas diskutimeve me grupet e interesit, prej të cilave erdhën ide shumë të vlefshme të cilat për fat të keq nuk u morën parasysh nga Bashkia. Ishte një iniciativë që e ndërmora për ta bërë sa më transparente këtë paketë dhe në fund të fundit për të konkluduar në varantin më të mirë.

Ku kanë konsistuar ndryshimet në paketën fiskale?

Mund të përmend disa ndryshime si p.sh. në taksën e fjetjes në hotel, ndryshimet në tarifat për leje përdorimi etj.

Pse mendoni se e djathta nuk pranoi propozimet për rritje të disa taksave, në kushtet kur bashkia ka probleme me fondet?

Ashtu siç u pa dhe nga diskutimet e këshilltarëve të djathtë, çështja qëndron në faktin se rritjet e taksave të propozuara nga bashkia rëndonin barrën fiskale dhe prekin veçanërisht bizneset që paguajnë. Po kështu bashkia i ka të gjitha hapësirat e mundshme për të rritur të ardhurat pa rritur taksat dhe tarifat dhe për të treguar nëse është një menaxhere e mirë.

 

Çështja qëndron në faktin se rritjet e taksave të propozuara nga bashkia rëndonin barrën fiskale dhe prekin veçanërisht bizneset që paguajnë. Po kështu bashkia i ka të gjitha hapësirat e mundshme për të rritur të ardhurat pa rritur taksat dhe tarifat dhe për të treguar nëse është një menaxhere e mirë

Nga ana e krerëve të bashkisë së Durrësit ka pasur akuza për bllokim të Këshillit Bashkiak nga ana e këshilltarëve të djathtë dhe tentative për shtyrje të qëllimshme miratimit buxhetit. Cili është komenti juaj?

Ajo që mund të them është që administrata e bashkisë ka sjellë për aprovim paketën fiskale në mes të dhjetorit dhe miratimi u bë në fillim të janarit. Me qëllim azhornimin e këshilltarëve me sensitivitetet e publikut dhe të grupeve të interesit, unë organizova që më parë një takim të hapur me publikun ku u bënë propozime qoftë për lëvizje të taksave dhe tarifave, qoftë në nivel strukturor. Ky diskutim i hap rrugën diskutimeve të tjera të këshillit me publikun për përgatitjen e buxhetit dhe për këtë ne kemi përgatitur një kalendar takimesh si me grupe interesi ashtu dhe me zona të qytetit, të cilat për arsye të ndryshme, ndoshta edhe politike, janë të margjinalizuara. Gjatë këtyre ditëve unë personalisht i kam kërkuar qytetarëve nëpërmjet Facebookut në faqe të ndryshme si Forumi i Durrsakëve që të jenë më aktivë në dhënien e propozimeve për përgatitjen e këtij buxheti. Duhet theksuar që ndërkohë që ne bënim diskutimin me publikun për paketën fiskale, këshilli bashkiak i Tiranës aprovonte buxhetin e vitit 2012. Mendoj që administrata e bashkisë Durrës duhet të jetë më eficiente duke patur parasysh që modelet pozitive i kemi shumë afër fizikisht, por si duket larg në mentalitet. Këshilltarët duhet të jenë të qartë për çfarë votojnë dhe jo thjeshtë të ngrenë kartonin për buxhete të ngurta. E mira do të qe që propozimet në këshill të vijnë me më shumë se një buxhet, ose me buxhete me disa skenarë.

Dako thotë që ligji i ri i administrimit të territorit krijon vakuum në financimin e bashkisë…

Është e vërtetë që reforma që po ndërmerret për planifikimin e territorit krijon një vakuum të përkohshëm në të ardhurat që vinë nga ndërtimi. Por nga ana tjetër kjo është një sfidë në të provuarit e aftësive tona menaxheriale. Plani zhvillimor i Durrësit është i përfunduar dhe ka mbetur thjesht konformimi me termat e ligjit të ri. Ne si këshill jemi të gatshëm ta trajtojmë dhe ta aprovojmë në minimumet e afateve ligjore që përcakton ligji, ashtu si jemi të gatshëm të aprovojmë një hartë të përdorimit ekzistues të territorit. Kjo e fundit i krijon bashkisë mundësinë për të aprovuar leje ndërtimi në zona të formuara me karakter të qartë, të cilat ruajnë karakterin ekzistues. Shumë shpejt, me cilësinë e kryetarit të këshillit, unë do inicioj firmosjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi me këshillat e komunave kufitare me bashkinë e Durrësit për të gjetur zgjidhje sa më racionale në një planifikim të përbashkët të territorit. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse bashkia me kapacitetet e veta profesionale por dhe manaxheriale mund të shërbejë si lider në procesin e planifikimit për faktin e thjeshtë se flasim për një territor i cili ndahet administrativisht, por jo fizikisht.

Si i vlerësoni raportet e tensionuara në mes të këshilltarëve të PD dhe PS në Këshillin Bashkiak te Durrësit, gjë që u reflektua dhe në mbledhjen e fundit ku u miratua paketa fiskale?

Së pari do doja të theksoja që në një demokraci funksionale, të paturit opinion ndryshe, qoftë ky individual, qoftë grupimi politik për tema të caktuara, është më se i natyrshëm, madje do të thosha është tregues i faktit që gjërat nuk bëhen formalisht. Ndaj, në këtë kontekst, mendoj se perceptimi që i është transmetuar publikut nga ana e medias ose prej ndonjë përfaqësuesi politik kam përshtypjen se është disi i ekzagjeruar. Do të jepja një shembull nga mbledhja përpara miratimit të paketës fiskale, ku shoqata “Çamëria” me mbështetjen time propozoi për titull “Qytetar Nderi” ndër të tjerë dhe profesorin e nderuar të matematikës dhe autorin e shumë teksteve shkollore, z. Muzemil Osmani. E djathta e mbështeti unanimisht propozimin ndërsa brenda kampit të majtë kishte mendime të ndryshme ndaj për të dalë me një mendim të unifikuar grupi i PS vendosi të abstenonte. Në media kjo u interpretua si një reagim i natyrshëm i të majtës ndaj komunitetit çam në vazhdën e qëndrimit të mbajtur ndaj këtij komuniteti këto 60 vjet. Por realiteti, të cilin unë e mora dhe në kontaktet e mëvonshme private, është që disa prej këshilltarëve të majtë nuk e njihnin profesorin dhe kontributin e tij ndaj dhe qëndrimi i tyre u formatua nga mosnjohja. Nga ana tjetër është e vërtetë që historia dhe betejat e ndryshme politike të zhvilluara këto vitet e fundit në Durrës i kanë bërë disa prej këshilltarëve që të vijnë me ngarkesa emocionale në diskutime të cilat duhet të ishin thjesht teknike e parimore. Por kjo nuk është as në frymën e përgjithshme dhe as në filozofinë time e të grupimit politik që unë përfaqësoj në këshill.

Cili është opinion juaj si këshilltar në lidhje me çështjen që ka të bëjë me Këshillin e Kulturës?

Problemi i Këshillit të Kulturës, nëse do ta quanim problem, është procedural. Maxhoranca ka kërkuar një raport të detajuar për aktivitetin e këshillit të kaluar kulturor duke qenë se dhe pjesa më e madhe e kandidaturave të propozuara janë ish-anëtarë të këtij këshilli. Administrata e bashkisë ka sjellë një raport, për strukturën dhe informacionin e të cilit këshilltarët e djathtë nuk janë dakord. Administrata ka tentuar që ta çojë në votim listën e propozuar ndërkohë që maxhoranca nuk ka dashur të shprehet për emrat pro ose kundër për sa kohë nuk ka një panoramë të qartë të aktivitetit të këshillit të shkuar. Në qarqet e artistëve në realitet ka shumë diskutime për mënyrën se si janë shpenzuar fondet e vena në dispozicion të kulturës gjatë mandatit të shkuar, ndërkohë që ka patur propozime me të vërtetë shumë sinjifikative për qytetin si takimi i humoristëve nga të gjithë trevat e banuara me shqiptarë në një aktivitet të titulluar “Nikolin Xhoja”, propozime të cilat nuk janë marrë në konsideratë.

Duke dalë pak nga niveli lokal, çfarë mund të thoni për tubimin e Lëvizjes “Vetëvendosje” në pikat kufitare me Serbinë?

Ai është një tubim që në thelb kërkon reciprocitet në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe në këtë këndvështrim jo vetëm që e mbështes, por solidarizohem me çdo lëvizje të këtij karakteri brenda rregullave dhe normave të shtetit të së drejtës. Vetë komuniteti çam ka vite që organizon pelegrinazhin në varrezat e Kllogjerit dhe tubimin në pikën kufitare të Qafë Botës me qëllimin për të përkujtuar vuajtjet por njëkohësisht dhe për të zgjuar ndjenjat e patriotizmit ndër shqiptarët. Qëndrimi që autoritetet greke po mbajnë ndaj prindërve tanë që vendlindjen e kane Çamëri, duke mos i lejuar të hyjnë në Greqi nëpërmjet këtyre pikave kufitare, kërkon një reagim të këtij karakteri, për sa kohë që rruga burokratike do kohë që t’i japë rezultatet, nëse do të mund t’i japë.

Çfarë mendimi keni për promovimin e figurave të shquara në historinë e Shqipërisë, a janë vlerësuar ato sa duhet?

Nuk kam njohjen e duhur të problemit në të gjithë spektrin e tij, por kam një ndjesi të cilën do të doja ta shprehja. Shumë prej figurave tona të shquara, ndoshta dhe prej faktit që Shqipëria ka qenë e mbyllur për një kohë të gjatë, nuk njihen dhe nuk janë studiuar. Do të përmendja Josif Bagerin, shqiptar ortodoks i Maqedonisë, rilindas i shquar, Vangjel Ljapi, arvanitasi i shquar etj. Mendoj se sa ç’është detyrë e intelektualëve për t’i identifikuar këto figura, aq është dhe detyrë e politikanëve për t’i promovuar ata dhe filozofinë që ata mbartin. Unë jam duke përgatitur një cikël shkrimesh për veprën e arkitektit të njohur durrsak të rilindjes dalmate, Andrea Aleksi, të cilin do ta botoj shumë shpejt.

Ka shumë diskutime rreth emrave të rrugëve të vendosura në Durrës dhe seriozitetit me të cilin është parë ky proces. Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë?

Këshilli bashkiak, kryetar i të cilit jam, është konstituuar në gusht të vitit të shkuar dhe gjatë kësaj periudhe nuk ka asnjë vendimmarrje të këtij karakteri. Për sa jam informuar, kam përshtypjen se procesi i vendosjes së emrave lë vend për të diskutuar, si përsa i përket proceduarave të ndjekura në lidhje me thithjen e sensibiliteteve të komunitetit, ashtu edhe në drejtim të konsultimeve me grupimet e ndryshme intelektuale në qytet. Besoj se është një temë për të cilën duhet menduar dhe duhen bërë propozime konkrete. 

 

 

Paketa fiskale e miratuar me shumicë votash

1- Taksa vendore për biznesin e vogël qëndron në nivelin e vitit 2011.

2- Taksa për ndërtesën qëndron në nivelin ligjor të vitit 2011.

3- Taksa e fjetjes në hotel nga 3 % bëhet 2, 5 %.

4- Taksa e përkohshme e gjelbërimit qëndron në nivelin e vitit 2011.

5- Tabela e pastrimit dhe largimit të mbeturinave qëndron në nivelin e vitit 2011. Në kategorinë që përjashtohen nga tarifa e pastrimit përfshihen dhe të përndjekurit politikë.

6- Tarifa e plazheve private qëndron 500 lekë në muaj, por ky të jetë nivel dysheme dhe të ketë procedurë konkurrimi.

7- Tarifa për leje përdorimi nga 50 lekë m³ bëhet 30 lekë m³.

8- Tarifa e parkimit të automjeteve qëndron në nivelin e vitit 2011.