Kryetari i Këshillit Bashkiak është njohur nga afër me problematikat e mprehta sociale të kësaj shtrese. Papunësia, mungesa e strehimit dhe pamundësia për të siguruar të ardhura që do t’u garantonin një jetesë dinjitoze janë ndër shqetësimet madhore të të verbërve
Të verbërit në qytetin bregdetar të Durrësit po përballen me probleme të mprehta ekonomike dhe sociale. Në një takim që një përfaqësi e këtij komuniteti dhe Shoqatës Kombëtare të të Verbërve ka zhvilluar me kryetarin e Këshillit Bashkiak të Durrësit, Indrit Hamiti, ka prezantuar problematikën e mprehtë me të cilën ata përballen çdo ditë. Një nga problemet më të mprehta është ai i punësimit, për faktin se pjesa më e madhe e familjeve të këtij komuniteti janë të papuna. Një shqetësim serioz mbetet për ta dhe strehimi, ku një pjesë e mirë e të verbërve jetojnë në kushte me të vërtetë skandaloze. Pjesa më e madhe e kësaj kategorie sociale në Durrës që gëzojnë statusin e të pastrehit, nuk kanë përfituar nga kreditë e akorduara nga Bashkia e Durrësit për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave mujore, që janë një kusht kryesor për përfitimin e kësaj kredie.
Një problem tjetër që përfaqësuesit e Shoqatës Kombëtare të të Verbërve i kanë prezantuar kryetarit të Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti, ka qenë dhe fakti se, ndonëse në statutin e të verbërve miratuar në Kuvendin e Shqipërisë kjo kategori përjashtohet nga taksat e drejtpërdrejta, de facto të gjitha bankat e nivelit të dytë që operojnë në Durrës ju mbajnë të verbërve përqindje nga lekët e invaliditetit. Në takim janë ngritur dhe shqetësime të tjera që kanë të bëjnë me kushtet në të cilat punon Shoqata e të Verbërve, apo dhe probleme të tjera me karakter ekonomik. Pasi është njohur me këto shqetësime, Hamiti ka shprehur mirëkuptimin e tij për të gjitha problemet e ngritura nga Shoqata e të Verbërve, duke premtuar kontributin e tij si përfaqësues i pushtetit lokal, por edhe si qytetar durrsak. Sipas tij,- “në lidhje me problemin e punësimit do të shikohet mundësia në koordinim dhe me Drejtorinë e Tatim-Taksave për të ndikuar te entet private brenda legjislacionit, për të gjetur mundësi punësimi”.
Përsa i përket problemit të strehimit Hamiti ka deklaruar se,- “brenda kritereve të vendosura nga Këshilli i Ministrave do të shqyrtohen hapësirat e mundshme për strehimin e të verbërve. Aktualisht, në Bashkinë e Durrësit përsa i përket strehimit operohet në dy variante, që kanë të bëjnë me strehimin me qera të arsyeshme dhe strehimin me kredi të butë me interes që mund të shkojë deri në 2%”, por kjo nuk do të thotë se shkelen kriteret në të ardhurat mujore për çdo familje që merr strehim me kredi. Po kështu kryetari i Këshillit Bashkiak ka premtuar përmirësimin e kushteve të punës në zyrën e Shoqatës në Bashkinë e Durrësit si dhe ka bërë apel që ndaj këtij kontigjenti të mos aplikohen komisione shërbimi në sistemin bankar.
Kryetari i Këshillit Bashkiak është njohur gjithashtu dhe me probleme të anëtarëve të thjeshtë të Shoqatës, siç ishte rasti i shtetases Nevreze Mehmeti që është e paralizuar dhe vëllai i verbër me motrën paguajnë 30.000 lekë çdo muaj, që t´i shërbehet në një spital në Shkodër. Në lidhje me këtë rast kryetari i Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti, ka deklaruar se pas vënies në dispozicion të të gjithë dokumentacionit të nevojshëm mbi gjendjen shëndetësore do të shikohet mundësia e trajtimit dhe sistemimit në institucione rehabilitimi dhe përkujdesjeje nëpërmjet pushtetit lokal.