Paketa fiskale e vitit të ardhshëm prezantohet para grupeve të interesit
Bizneset propozojnë tender për ndarjen e plazheve publike, ulje të taksave të parkimit dhe atyre hoteliere
Përfaqësuesit e grupeve të interesit kanë kërkuar disa ndryshime në paketën fiskale të prezantuar nga ana e Bashkisë së Durrësit, në një takim të iniciuar nga kryetari i Këshillit Bashkiak të Durrësit, Indrit Hamiti, i mbështetur nga zyra për transparencën. Sipas kryetarit të dhomës së tregtisë dhe industrisë në Durrës, Andrea Xhavara, ka nevojë për një shpërndarje më të mirë të taksave, në një kohë që duhet krijuar mundësia për bizneset, që në vitin e parë të hapjes të kenë ulje taksash në nivelin 30%, në vitin e dytë 15% etj. Ndër propozimet e bëra janë evidentuar ulja e taksës për pjesën e ndërtimit që shërben për parkim nga 4% në 1%, ulja e taksës së fjetjes nga 3% në 2,5%, ndryshimin e bazës së vjeljes së taksave të parkimit nga bizneset në përdoruesit e mjeteve si dhe disa ndryshime të tjera si:
1. Të krijohen sportele one-stop-shop për subjektet tregtare që administron Bashkia e Durrësit e të ristrukturohen zonat fiskale në Durrës (në 6 rajone gjithsej)
2. Të hiqen taksat dhe tarifat për OJF-të
3. Të afrohen fatura të rregullta dhe me elementet e duhur të sigurisë për çdo pagesë taksash/tarifash
4. Të diferencohet taksa e pastrimit, bazuar mbi parimin: “Kush ndot më shumë, paguan me shume”
5. Të synohet lidhja e marrëveshjeve me kompani të specializuara vendore (durrsake) për ricikliminin e kartonit dhe plastikës, pasi kjo do të ishte me interes reciprok dhe do të gjeneronte të ardhura për bashkinë dhe për vetë këto biznese
6. Të zhvillohet tender për dhënien në përdorim të plazheve që administron Bashkia Durrës dhe ato t’i jepen atij që paguan më shumë
7. Taksa e parkimit të paguhet nga drejtuesit e mjeteve dhe jo nga subjektet tregtare sikurse parashikohet në projekt-paketën fiskale 2012 të hartuar nga administrata e Bashkisë Durrës
8. Taksa për ndërtimet të pësojë ulje dhe po kështu të ulet edhe taksa për vendet e parkimit në godinat e reja që dorëzohen pas përfundimit
9. Të rishikohen sistemet e taksave me synim uljen e tyre për biznesin fason etj.
Sipas kryetarit të Këshillit Bashkiak të Durrësit, Indrit Hamiti, qëllimi i prezantimit të paketës fiskale tek grupet e interesit konsiston në marrjen e sensitivitetit nga këto grupe dhe publikut, në mënyrë që të edukohen këshilltarët për vullnetin e votuesve të tyre. “Po kështu,- shprehet Hamiti,- një variant i mundshëm që është në funksion të kësaj transparence është ai që stafi i Bashkisë së Durrësit të shërbejë si suport për “Data Base2” e buxhetit dhe një byro e specializuar për buxhete të japë alternativën e saj”. Në fakt ky model shprehet Hamiti është kërkuar dhe nga kryebashkiaku Dako, por më pas nuk u implemetua.