TIRANË– Muajin tjetër pacientët do të përfitojnë shërbime mjekësore edhe nga sektori privat, falë hyrjes në fuqi të Ligjit të ri të Sigurimeve Shëndetësore.
Zbatimi i tij u konsiderua "një sfidë e sistemit tonë shëndetësor", nga drejtuesja e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH), Elvana Hana.
Në analizë vjetore të këtij institucioni, Hana tha se, "ligj i ri do të përcaktojë qartësisht çdo paketë shërbimi, që do të përfitojnë qytetarët, si në shërbimin parësor ashtu edhe atë spitalor. Ai hyn në fuqi në fund të marsit, nëpërmjet paketave të shërbimit, garanton më shumë transparencë ndaj popullatës. Transparenca do të jetë në të gjithë elementët, që nga futja e pacientit në sistem deri tek kostot që paguan Fondi për pacientët, në çdo hallkë të sistemit për çdo lloj shërbimi. Ligji i ri mbron të gjitha kategoritë në nevojë, duke zgjeruar grupet përfituese nga skema e sigurimeve shëndetësore".
Pavarësisht se ligji vë theksin tek sistemi publik shëndetësor, që është dhe pjesa më e rëndësishme e tij, në të lihet hapësirë dhe për sektorin privat.
Hana shpreson se sektori privat, pas akreditimit dhe konsolidimit të tij të sjellë cilësi më të mirë dhe konkurrencë më të madhe në treg. Pasi në ligjin e ri lejohet kontraktimi me shërbimin privat për disa shërbime të mirëpërcaktuara, duke rritur mundësinë dhe cilësinë e përfitimeve për pacientët.
“Në një moment të rëndësishëm parazgjedhor, shëndeti i popullatës po përdoret për qëllime elektorale” deklaroi Hana, duke iu referuar deklaratave të fundit të Partisë Socialiste, sipas të cilës nga skema e sigurimeve të kujdesit shëndetësor nuk përfitojnë të papunët.
“Partia Socialiste kërkon të zhbëjë një punë të madhe të bërë nga qindra specialistë dhe disa qeveri të majta e të djathta, si dhe nga shumë institucione prestigjoze që kanë punuar së bashku me specialistët shqiptar si BB, USAID etj që nga 1995 e këtej, të cilët e kanë parë ndryshimin në atë kohë si domosdoshmëri të një sistemi që kishte 50 vjet që nuk gjeneronte cilësi në sistemin shëndetësor”.
Fokusi i skemës së rimbursimit janë kategoritë në nevojë. Konkretisht Kategoria e Pensionistëve që zë rreth 45% të shpenzimeve të rimbursimit, ka një rritje prej 460 milionë lekë ose 14.8% në krahasim me vitin 2011.
Konstatohen rritje të konsiderueshme dhe për kategoritë e Invalidëve, popullësisë aktive dhe të papunëve, që përfitojnë nga skema e sigurimeve.
Duke iu referuar shifrave, Hana pohoi se skema e sigurimeve shëndetësore 2012 ka ofruar shërbime konkrete për popullatën sa i përket parësorit për të gjitha kategoritë në nevojë.
Në Qendrat Shëndetësore janë kryer 6 milionë vizita, me një numër mesatar prej 10 vizitash në ditë për mjek.
Të dhënat tregojnë se formula e pagesës që incentivon punën e mjekëve, ka rezultuar e suksesshme, pasi mjekët kanë marrë deri në 2 paga mujore shtesë në vit për punën e kryer.
Pagesa për performancë, e cila mat numrin e vizitave është realizuar në masën 92%, ndërsa bonusi që mat cilësinë e shërbimit, në masën 61% me një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë.
Me reformën në Parësor, Hana tha se "ne masim tregues të cilësisë së jetës për pacientët, duke e lidhur për herë të parë pagesën e mjekëve me punën e kryer. Kështu, dy indikatorë të rëndësishëm që maten në Qendrat Shëndetesore, mbajtja brenda normave e hipertensionit dhe diabetit, po tregojnë rezultate mjaft pozitive. Sipas të dhënave të vitit 2012, 74% e pacientëve që trajtohen pranë mjekut të familjes me hipertension, I kanë patur parametrat brenda normave dhe 48% e diabetikëve po ashtu rezultojnë me parametra brenda normave”
Paga mesatare për një mjek në kujdesin parësor arriti në 61 mijë lekë në muaj, ndërsa së bashku me bonusin, arrin në 70 mijë lekë në muaj. Pagat e infermierëve variojnë nga 35.500 deri në 40.000 lek.
Sot, janë rreth 1.7 milion libreza shëndetësore, fakt që dëshmon për një përdorim të madh të skemës së sigurimeve nga popullata.
Sa i takon shërbimit spitalor, vetëm në një vit janë kuruar në spital rreth 670 mijë vetë në spitale nga të cilët 241 mijë janë të shtruar dhe 432 mijë urgjenca dhe janë kryer 52 mijë operacione (28 mijë prej të cilave vetëm në Kirurgji).