TIRANE, 05 mars 2013- "Skema e sigurimeve shëndetësore aktuale është një model i suksesshëm, pasi ka në thelb transparencën e fondeve që shkojnë për shëndetësinë, duke mbuluar të gjitha kategoritë në nevojë", tha sot drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana.
Ndërkohë, Hana konsideron skemën e propozuar nga Partia Socialiste për sistemin shëndetësor si një remineshencë të së kaluarës. Sipas saj, skema aktuale, sipas saj, është solidare, e cila mbron pensionistët, të papunët, gratë shtatzëna, fëmijët, studentët, etj, dhe për këto kategori kontribuon shteti.
"Sistemi kontributiv i përzgjedhur nuk është një trill i një personi, apo një qeverie. Një punë shumë e madhe e bërë nga mijëra specialistë dhe disa qeveri të majta e të djathta, si dhe nga shumë institucione prestigjoze që kanë punuar së bashku me specialistët shqiptarë si BB, USAID, etj, qe nga 1995 e këtej dhe të cilët kanë parë ndryshimin në atë kohë si domosdoshmëri të një sistemi që kishte 50 vjet që nuk gjeneronte cilësi në sistemin shëndetësor", nënvizoi Hana.
Të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në sistemin shëndetësor, përsa i përket pjesës së organizimit, që nga paguesi i vetëm dhe mbajtja e sistemit kontributiv aktual janë rekomanduar nga organizata prestigjioze si Banka Botërore dhe USAID, të cilët kanë rekomanduar këtë. "Momenti kur ne jemi me hyrjen në fuqi të ligjit të ri është kurorëzim i të gjithë kësaj pune, të cilën PS do t’a zhbëjë, duke propozuar një shërbim shëndetësor pa kontribute dhe shërbim të ashtuquajtur falas, pa treguar konkretisht se çfarë do të bëjnë me reduktimin e shumës së kontributeve, e cila i hiqet shëndetësisë dhe shkon nuk e dimë se ku, dhe si do të jetë i mundur realizimi i të njëjtave shpenzime që kryhen sot në sistemin tonë shëndetësor që përbëjnë 24% të shpenzimeve të skemës", nënvizon Hana.
Duke theksuar se ky propozim i PS-së kujton remineshencat e një sistemi të kaluar, drejtoresha e ISKSH-së pohon se "çështja e diskutimit të financimit për shëndetësinë është një çështje mjaft delikate dhe nuk duhet përdorur për qëllime elektorale, sepse do të ndodhë si me pëlhurën e Penelopës, të cilën e thur njëri dhe e çthur tjetri, duke rrezikuar shërbimin shëndetësor për popullatën".
Ndërkohë, Hana sqaron se avantazhi kryesor i sistemeve kontributive është që ata nxisin transparencën në sistemin shëndetësor, duke përcaktuar qartësisht fondet për shëndetësinë dhe duke bërë që të gjithë ata që i paguajnë kontributet të rrisin presionin ndaj Qeverisë, në mënyrë që financimi i shëndetësisë të mbetet i qëndrueshem. "Në rast të kundërt, kur dhënia e fondeve do të varej vetëm nga qeveritë, pa patur presionin e popullatës, kjo do të ishte shume riskuese për qeveri të papërgjegjshme, që mund të lëviznin me një të rënë të lapsit fondet nga shëndetësia në sektorë të tjerë, duke rrezikuar dhënien e shërbimeve", sqaroi Hana.
Raporti përfundimtar i Bankës Botërore para se të hartohej ligji i ri rekomandoi mbajtjen e normës së kontributit në masën 3.4%, gjë që është reflektuar në ligjin e ri që pritet të hyjë në fuqi.
Sa i takon masës së kontributit për të vetëpunësuarit, Hana tha se kjo normë është ulur nga 7 në 3.4%, duke e njehsuar me të gjitha kategoritë e tjera dhe në vlerë absolute pagesa do të jetë lehtësisht më e ulët se kjo që është sot. Kjo pjesë është ende duke u punuar në tavolinat e specialistëve. "Nuk është koha të luhet me shëndetin e shqiptarëve", tha Hana.
Arritje të sistemit shëndetësor
Sistemi shëndetësor kohët e fundit ka njohur reforma të mëdha dhe suksese të prekshme nga popullata, duke nisur që nga paketat konkrete të shërbimeve që ofrohen për popullatën, lista e barnave të rimbursueshme, e cila është shtuar me 159 barna të reja dhe me 413 alternativa, duke rinovuar 1/3 e listës. "Janë ofruar shërbime konkrete për popullatën sa i përket parësorit për të gjitha kategoritë në nevojë, duke definuar kujdesin për të rriturit, për të moshuarit, kujdesin parandalues, kujdesi për gratë dhe shëndetin riprodhues, të mirëpërcaktuara në kontratat tona, duke sjellë një rritje të shërbimit shëndetësor ndaj këtyre kategorive", tha Hana, sipas së cilës, ky është një kujdes që matet çdo muaj me evidenca konkrete që nga 2007 dhe shifrat kanë ardhur gjithnjë në rritje.
Lidhur me spekulimet për mospërfitimin e të papunëve nga skema e sigurimeve shëndetësore, Hana sqaroi se të papunët mbulohen falas nga shërbimi shëndetësor, pasi për këtë kategori paguan shteti. Në vitin 2007 janë përfituar rreth 72 milion lekë nga kategoria e të papunëve dhe kjo shifër është 172 milion në vitin 2012, duke dyfishuar përfitimet e kësaj kategorie në këto vite. Kjo nuk lidhet me ndryshim të numrit të të papunëve, por me rritjen e përfitimit të tyre nga skema, nënvizoi Hana.
"Si mund të thuhet që nuk jepet shërbim shëndetësor, kur vetëm gjatë 1 viti kurohen rreth 670 mijë vetë në spitale nga të cilët 241 mijë janë të shtruar dhe 432 mijë urgjenca?", shtoi ajo.
Ndërkohë, benefite konkrete ka patur edhe për punonjësit e shëndetësisë, duke rritur dhe dyfishuar pagat e mjekëve si në sistemin parësor, duke rritur ne 2.5 herë pagat e mjekëve në spitalor, si dhe duke rritur 2.3 herë pagat e infermiereve në parësor dhe spitalor.