Dhjetëra të rinj durrsakë, por edhe vajza, gra dhe nëna kanë zhvilluar pasditen e sotme një marshim proteste kur kanë përsëritur thirrjet: Unë jam Klodiani! Drejtësi për Klodianin! Poshtë diktatura! Rama Ik!etj.

Marshimi me qirinj në duar dhe me disa protestues që mbanin mbi supe flamurin kombëtar nisi nga sheshi “Liria” dhe vazhdoi përgjatë rrugës “Aleksandër Goga” drejt Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Shihni në videot e mëposhtme minutë pas minuti ecurinë e protestës, së filmuar nga operatori i DurrësLajm.

Tensionimi i situatës

Për minuta të tëra është tensionuar situata para Drejtorisë së Policisë Durrës. Të rinj dhe minorenë janë munduar të hedhin kapsolla brenda drejtorisë së policisë, si dhe kanë derdhur kazanët e mbeturinave, ndërsa me thirrjet “Hiqni uniformat” kanë vijuar protestën e thirrur në rrjete sociale.

Fillimisht efektivët e policisë ishin pozicionuar brenda rrethimit të Drejtorisë, por më pas disa prej tyre kanë nisur të dalin në sheshin para godinës.

Marshimi sërish drejt sheshit dhe dëmtimi i dekorit

Ndërsa mendohej se të rinjtë që protestuan pasditen e sotme në Durrës do të shpërndaheshin qetësisht ata janë drejtuar sërish drejt sheshit “Liria” dhe kanë nisur të shkatërrojnë dekorin e vendosur me rastin e festave të fundvitit.

Këtij shkatërrimi nuk i kanë shpëtuar as pema së cilës i është vënë flaka dhe as zbukurimet e ndryshme të vendosura aty, të cilat jane demtuar.