Mbrëmjen e së shtunës hapi siparin panairi i librit në Durrës, i cili do të qëndrojë i hapur deri më 8 korrik.
Shumë shtëpi botuese sollën për lexuesin durrsak dhe jo vetëm dhjetëra tituj të letërsisë për të rritur dhe fëmijë, në stenda të veçanta ku u vu re një interes i madh i qytetarëve durrsakë.
Shtëpitë e njohura botuese si “Fan Noli”, “Çabej”, “Botart”, “Pegi” etj për 6 mbrëmje me radhë do të jenë të pranishme në zonën më të frekuentuar të Durrësit për të kënaqur pritshmëritë e adhuruesve të librit.
Panairi i librit do të presë çdo mbrëmje në shëtitoren “Taulantia” lexuesit e rregullt me dhjetëra tituj të publikuar së fundmi.
E njohur si stina e pushimeve, vera është një nga periudhat kur njerëzit lexojnë më shumë, sepse shpesh një apo dy libra nuk mungojnë në çantën e udhëtimit.
Në det apo në mal, një libër është përherë një shoqërues i mirë i pushimeve në këto ditë të nxehta.