Pas thirrjes së parë për instalimin e paneleve diellore për ngrohjen e ujit për 2 mijë konsumatorë familjarë, Agjencia e Eficencës së Energjisë ju drejtua sërish subjekteve tregtuese të interesuara për ofrimin e shërbimit të shitjes dhe instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit.

Në një njoftim zyrtar Agjencia bëri të ditur se në fazën e dytë do të instalohen sërish 2 mijë panele diellore për konsumatorët familjarë, të cilët do të përzgjidhen për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse.

Sipas Agjencisë  së Eficencës së Energjisë konsumatorët familjarë që do aplikojnë për përfitim mase mbështetëse do mund të marrin shërbimin vetëm në një nga subjektet e publikuara.

Skema për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga konsumatorët familjarë ofron subvencionimin deri në masën 70% të kostos nga qeveria. Kjo masë synon reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe përmirësimi i furnizimit me ujë të ngrohtë.