Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur 2 tendera për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës, projekt ky që do të zhvillohet me dy faza dhe që pritet t’i kushtojë Buxhetit të Shtetit rreth 32 milionë euro. Secila nga fazat e projektit parashikohet të ketë një vlerë prej rreth 16 milionë euro ose 1,66 miliardë lekë.

Investimi i rëndësishëm në infrastrukturën rrugore pritet të përfundojë brenda 2 viteve.

Tenderat e ARRSH-së do të qëndrojnë të hapur deri më datë 8 maj, ku të gjitha kompanitë e interesuara shqiptare apo ndërkombëtare duhet të paraqesin ofertat dhe më pas komisioni do të përzgjedhë kompanitë fituese.

Rreth një muaj më parë, “DurrësLajm” pasqyroi përmes pamjeve filmike degradimin e autostradës në shumë segmente të saj.

Në dokumentet e tenderit thuhet se faza e parë të projektit përfshin gërryerjen, prishjen e betonit ekzistues, si dhe ndërtimin e veprave të artit ku përfshihen tombinot apo drenazhimet, ndërkohë që asfaltimi do të nisë në muajin e 11-të të punimeve. Paralelisht, është specifikuar se pas zgjerimit të autostradës me dy korsi të tjera në secilin krah, shpejtësia e lejuar për qarkullimin e automjeteve do të jetë 90-140 km/h.

Punimet për zgjerimin fillimisht do të përfshijnë 5 km e parë të autostradës. Gjerësia e autostradës aktualisht është 18,6 metra, ndërsa pas zgjerimit do bëhet 35,1 metër.

Njëkohësisht ARRSH ka hapur tenderin për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, loti i parë, me një fond limit 754 milionë lekë.

Rehabilitimi i këtij aksi është një domosdoshmëri, nisur edhe nga fakti se me punimet që do të kryhen në autostradë, ai do të jetë një rrugë alternative për Durrësin drejt kryeqytetit.

M.B.