Fondi Shqiptar i Zhvillimit që tashmë është shndërruar në levën kryesore te menaxhimit të investimeve publike në rrugë, ka në plan të investojë në dy vitet në vijim një shumë prej 82 milionë eurosh. Sipas planit që vetë FSHZH ka shpallur, zyrtarisht shuma do të investohet në 10 projekte, që përfshijnë infrastrukturën rrugore.

“Në kuadër të iniciativës së Qeverisë Shqiptare për financimin e projekteve prioritare të infrastrukturës rrugore, FSHZH është angazhuar për përgatitjen e paketës së financimit e procedurave te tenderimit te cilat do ti hapin rrugë fillimit të punimeve civile në terren. Aktualisht janë shpallur procedurat për tenderimin e punimeve civile 10 segmente rrugore”, thuhet në planin e investimeve për vitet 2017-2018 të FSHZH-së.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve të akorduara nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve. Gjatë viteve 2014-2015 janë miratuar 63 objekte të ndryshme me vlerë totale 7.09 miliardë lekë, të cilat zbatohen nga FSHZH.

Këto financime janë fokusuar në disa drejtime prioritare: 38 Projekte për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe asaj urbane, (Hyrjet e Tiranës nga Durrësi dhe Elbasani, sistemimi i 2 shesheve në Tiranë, Unaza e Divjakës, rruga Transballkanike në Vlorë, mbushja me rërë e plazhit Vlorë, rruga e Dajtit, sheshi i Kukësit, shëtitorja Himarë, etj);

Programi “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”, bashkëfinancuar nga Banka Botërore, Qeveria Shqiptare dhe Donatorë të tjerë në vlerën 368 milionë USD, synon të rrisë përpjekjet konkrete për përmirësimin e infrastrukturës në vend si dhe për rritjen e aksesit ndaj shërbimeve bazë dhe tregjeve, veçanërisht në zonat rurale nëpërmjet rehabilitimit të rrjetit rrugor dytësor dhe lokal.

Programi, deri në dhjetor 2015, është financuar në shumën rreth 368 milionë USD dhe ka avancuar në të gjithë komponentët e tij.

Ja projektet që do të financohen gjatë 2017-2018 nga Fondi i Shqiptar i Zhvillimit

1- “Sistemim asfaltim i rrugës Kastriot – Arras”

2- “Ndërtim i unazës se qytetit bashkia Vau Dejës”

3- “Rikonstruksioni i rrugës Fushe Kruje-Thumane”

4- “Rikonstruksioni i rrugës “Taulantet”, pedonales dhe KUZ ne UBT”

5- “Rehabilitim dhe veshje me asfalt i rrugës Fushë Arrëz (K/Hadroit) – Reps (Rotonda)”

6- “Ndërtim Asfaltim i rrugës Cërrik – Belsh – Dragot – Kuçove – Urë Vajgurore (Segmenti Degëzim Grekan – Dragot)”

7- “Rikonstruksioni i rrugëve 2; 3; 4 dhe paralele në Golem, Kavajë”

8- “Sistemim Asfaltim Rruga Qafë Plloçe-Pogradec dhe Unaza Pogradec”

9- “Sistemim asfaltim rruga Unaza Korçë- Voskop-Polene-Korce”

10- “Ndërtim i rrugës Unaza e Re, Peshkopi”

/MONITOR/