29 korrik 2015 – Një pjesë e mirë e hapësirave publike në qytet ende vuan mungesën e investimeve publike duke ardhur drejt një degradimi të plotë. Këtu nuk flitet për zona periferike, por për zona dhe lagje shumë pranë qendrës së Durrësit.

Këtë herë sjellim një vëzhgim nga një hapësirë e tillë publike e gjendur në lagjen 17 prapa Qendrës së Formimit Profesional e njohur ndryshe si zona e ish-URT –së. Një hapësirë publike e lënë krejtësisht në harresë prej vitesh, e pasistemuar, ku përfaqësuesit e bizneseve apo banorët e kësaj zone përballen me pellgjet e mëdha të ujit e baltës në dimër dhe pluhurit e pisllëkut në verë, me një sistem kanalizimesh tejet të degraduar.

Bimësia e egër po zapton dita-ditës sipërfaqe të tëra duke u kthyer dhe në rrezik përhapjesh infeksionesh nga më të ndryshmet. Ky është një realitet i papranueshëm që cenon drejpërdrejt cilësinë e jetesës së banorëve të kësaj zone. Taksat e paguara, bashkia duhet t’ua rikthejë komunitetit në investime dhe shërbime për të rritur standardin e jetesës në çdo cep të territorit të administruar nga bashkia.

/M.F. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/