Plazhet publike përgjatë vijës bregdetare të Durrësit janë një realitet i prekshëm këtë sezon veror.
Kur po i drejtohemi mesit të muajit korrik, plazhistët shprehen mjaft të kënaqur, sepse një punë e mirë është bërë edhe për mirëmbajtjen e përditshme të këtyre hapësirave publike.
Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit kanë ndërmarrë një sërë aksionesh gjatë këtyre javëve për të liruar hapësirat publike të rërës nga uzurpimet e paligjshme të privatëve.
Por ndërsa subjektet private duket se po ndërgjegjësohen dhe respektojnë sipërfaqet ranore që u janë lënë në përdorim, shqetësim përbëjnë vetë qytetarët. Shefi i territorit në Policinë Bashkiake, Aldo Vrioni, thotë për “DurrësLajm” se problematika më e shpeshtë e ndeshur gjatë këtij sezoni janë zëniet e plazheve publike nga qytetarët, me çadrat personale të tyre.
Aksionet e ndërmarra nga institucionet ligjzbatuese pritet të vijojnë deri në ditën e fundit të këtij sezoni veror përgjatë gjithë bregdetit të Durrësit për t’u garantuar të gjithë qytetarëve dhe turistëve një qëndrim sa më komod dhe shërbim cilësor.
M.B.





