Një lojë domino apo me letra nën hijen e dushqeve shtatlartë është e vetmja mënyrë për të kaluar kohën e lirë në këto ditë të nxehta korriku për dhjetëra pensionistë të Durrësit.
Me stola dhe tavolina të improvizuara nga ata vetë, të moshuarit kalojnë disa orë të ditës në shoqërinë e njeri-tjetrit deri në momentin kur dielli ua pamundëson qëndrimin në ambiente të hapura. Lulishtja përballë filialit të Postës Shqiptare është një nga hapësirat publike më të mëdha në qendër të Durrësit, por sipas pensionistëve ka nevojë për ndërhyrje.
Me nivelin e pensioneve në Shqipëri, shumica e të moshuarve janë në kushtet e mbijetesës. Shfrytëzimi i hapësirave publike mbetet për ta opsioni i vetëm për ta kaluar pa shpenzime kohën e lirë. E ndërsa bashkëmoshatarët e tyre nga vende të ndryshme të botës vizitojnë qytetin bregdetar si turistë, shumë nga të moshuarit e Durrësit nuk kanë shkuar asnjëherë me pushime.
Shëtitorja “Taulantia” apo sheshi “Liria” nuk mund të shfrytëzohen gjatë verës, gjatë orëve të paradites për shkak të mungesës së gjelbërimit. Në këto kushte, për pensionistët, opsioni i vetëm janë të vetmet oaze të gjelbërta që i kanë mbetur qytetit bregdetar.
M.B.





