Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimet e kalimit të së drejtës së pronësisë për 500 parcela ndërtimore të kualifikuara për legalizim në Durrës dhe Shijak. Vendimi i qeverisë i hap kështu dritën jeshile hipotekimit të 500 ndërtimeve të ngritura nga qytetarët në dy bashkitë e mëdha të qarkut të Durrësit.
Drejtori i ALUIZNI-t Durrës, Arben Isaku, thotë se qytetarët që paraqiten për të paguar faturat brenda afatit të përcaktuar prej 40 ditësh do të kenë zbritje të shumës me 20%.
Ndërkohë, qytetarët të cilët ndodhen në emigracion dhe duan të marrin informacion për ecurinë e procesit të legalizimit për objektet e tyre, ALUIZNI u përgjigjet në faqen online dhe procedurat tashmë, sipas Isakut, mund të ndiqen nga të afërmit e tyre.
Në qarkun Durrës, kryesisht në bashkinë Durrës e Shijak janë skualifikuar një numër shumë i lartë objektesh. Bëhet fjalë për objekte të ngritura përgjatë kodrës së Durrësit që konsiderohet zonë e rrezikshme prej erozionit, ato te ngritura në zonat arkeologjike dhe pranë shtyllave të tensionit të lartë, si dhe dhjetëra objekte të ndërtuara përgjatë lumit Erzen në Shijak.
K.H.





