Me aparatin e tij fotografik ka fiksuar në celuloid për disa dekada me qindra e mijëra portrete qytetarësh durrsakë dhe momente nga jeta e qytetit të tij të lindjes. Mbrëmjen e së mërkurës u prezantua vetëm një pjesë e vogël nga arkiva personale e mjeshtrit durrsak të fotografisë, Esat Hafizi.
Qendra Muzeore Durrës, në bashkëpunim me Casa Museo sollën para artdashësve ekspozitën “Artizani i Dritës – Gjurmë në kohë përmes lentes së Esat Hafizit” me fotografi, video dhe instalacion nga arkiva e periudhës 1954-1967 e fotografit të njohur. Përmes imazheve të fiksuara në celuloid, Hafizi ka sjellë për bashkëqytetarët e tij një pjesë të vlerave historike dhe trashëgimisë kulturore qytetare të Durrësit.
“Ideja e kësaj ekspozite ka qenë prezantimi i një arkive fotografike shumë të pasur, të cilën ai e ka ruajtur me devotshmëri dhe kujdes ndër vite, pasi këto fotografi datojnë në vitet 1954-67. Në këtë ekspozitë do të shihni një pjesë të vogël të portreteve që ai ka realizuar në studion e tij “Foto studio Iliria”, rrëfen për “DurrësLajm” mbesa e Esatit, Kiti Hafizi.
“Promovojmë një trashëgimi kulturore që ai ka lënë, një trashëgimi arkivore, e cila është duke u zhvilluar nga pasardhësit e tij. Janë një copë e historisë së qytetit, që shpaloset përmes këtyre portreteve, narrativat janë të shumta që nga elementët e stilit dhe të shprehjes individuale të autorit, por edhe nga dëshmitë që ai sjell”,- thotë specialistja e QMD-së, por edhe kuratorja e ekspozitës, Antigoni Gjergji.
Trashëgimia e pasur arkivore e mjeshtrit durrsak të fotografisë është lehtësisht e vizitueshme nga vendasit dhe të huajt në apartamentin e Hafizit, që menaxhohet nga pasardhësit e tij.
Shumë nga të pranishmit në ekspozitë evidentuan rëndësinë historike dhe artistike që kanë evente të tilla, pasi ato shërbejnë për të shpalosur për publikun e gjerë një pjesë të vogël të historisë së Durrësit, evoluimin e tij në vite e dekada dhe njëkohësisht për të dokumentuar jetën qytetare në dekadat e pas luftës në qytetin bregdetar.
M.B.