Pas 3 dekadash, Shtëpia e Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës po rikthen një traditë të bukur shumëvjeçare, hapjen e dy ekspozitave kolektive të artistëve të artit pamor në qytetin bregdetar.

Nisma u konkretizua pasditen e së premtes, kur në ambientet e galerisë tashmë të rikonstruktuar “Nikolet Vasia”, artdashësit mund të admironin tablotë dhe skulpturat e artistëve durrsakë të 3 epokave të ndryshme, në ekspozitën e titulluar “Pranverë”.

Në një simbiozë të pakohë, ishin bërë bashkë veprat e të mëdhenjve të artit pamor në Durrës, si Sabri Tuçi, Agim Kavaja, Zef Ujka, Gravril Priftuli, Skënder Kokobobo, Dhimitër Arrallambi dhe shumë nxënësve të tyre që vijojnë traditën e bukur artistike të atyre, që u mësuan ABC-në e artit.

“Këtu kemi 71 vepra nga një grup i gjerë autorësh. E kemi konceptuar në 3 epoka. Realizmi për mua është baza e të gjitha veprave, pastaj të gjithë rrymat e tjera që vijnë janë post realiste, prandaj të gjitha veprat qëndrojnë shumë mirë.  Qëndron shumë mirë edhe piktura e Skëndër Kokobobos, por po aq bukur qëndron dhe piktura e Marjanës; qëndron piktura e Gavrik Priftulit, por po kaq bukur qëndrojnë dhe pikturat e Dashamir Gurabardhit”,– tha për “DurrësLajm” nënkryetari i Shtëpisë së Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës dhe skulptori Idriz Balani.

Nuk ishte e vështirë për t’i bërë bashkë të gjithë artistët e këtij qyteti në këtë ekspozitë kaq të madhe sa është kjo, me emrin e bukur “Pranverë”. Kjo ekspozitë për mendimin tonë është një hap i parë dhe I madh drejt bashkimit të shkollave, stileve të ndryshme, përvojave të artistëve të ndryshëm etj”,– tha Agim Bajrami, kreu i Shtëpisë së Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës.

Nga data 25 prill e deri më 19 maj, artdashësit durrsakë, por edhe turistët e huaj do të mund të admirojnë në galerinë e qytetit disa nga veprat më të mira të artit pamor të 80 viteve të fundit.

Mes morisë së natyrave të qeta, peisazheve, kompozimeve, portreteve e skulpturave të ndryshme, artdashësit përshkojnë në mënyrë figurative rrugëtimin e artit pamor durrsak, që nga periudha para realizimit socialist, e deri në ditët tona.

M.B.