Piktorja durrsake Shpresa Milaqi Bajko ka hapur ekspozitën e saj të radhës, të titulluar “Qetësi”. Duket se titulli është frymëzuar jo vetëm nga ndjesitë e piktores gjatë kohës kur ajo i ka realizuar tablotë, por edhe për shkak të asaj çfarë ato përcjellin tek artdashësi.
“Vërtet piktura të fal atë që nuk ta jep askush tjetër, qetësinë. Piktura është relaks. Periudhën që pikturon, stakohesh nga çdo gjë tjetër. Për mua është gjëja më e bukur.” – thotë piktorja.
Me ngjyra të forta që transmetojnë pozitivitet, natyrat e qeta dhe peisazhet e Shpresës nuk mund të kalojnë pa i vënë re.
Janë mbi 50 punime në vaj dhe akuarel, të realizuara 2 vitet e fundit, të cilat Shpresa ka punuar me mjaft përkushtim, duke i dedikuar orë e orë të tëra të ditës së saj.
Në galerinë e tablove, dy prej tyre zënë një vend të veçantë në zemrën e Shpresa Milaqit.
“Janë dy punime, një në vaj dhe një në akuarel. Njëra është gjyshja e përrallave, gjyshja ime nga ana e nënës. Për mua ajo është nostalgji. Ndërsa piktura tjetër është ajo që i kam vënë emrin “Vazhdimësia”, është pema e familjes sime. Aty kam pikturuar dy prindërit e mi, që tashmë janë në qiell dhe gjithë pasuesit e tyre, deri tek stërnipat dhe stërmbesat e tyre”,– rrëfen Shpresa për “DurrësLajm”.
Ekspozita e piktores Shpresa Milaqi do të qëndrojë e hapur deri më datë 11 korrik.
M.B.