Përgjatë një muaji, nga data 30 janar deri më 28 shkurt, Galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës hap dyert për ekspozitën fotografike “Images From Asia”, e cila përmbledh mbi njëzet vite udhëtime në kontinentin aziatik të fotografit italian Massimo Saretta.
Janë gjithsej 84 imazhe si fragmente drite, kujtese dhe miti, në një dialog të thellë mes Lindjes dhe Perëndimit, të cilat Saretta ka zgjedhur t’i ekspozojë në Durrës, një qytet që historikisht ka qenë udhëkryq takimesh dhe kalimesh.
“Janë pamje që paraqesin anë të ndryshme; antropologjike, kulturore, fetare të 7 vendeve aziatike dhe është një punë që unë e bëj përgjithësisht në zona jo turistike dhe larg guidave të tur operatorëve. Pikërisht për të prezantuar shpirtin e vendit, shpirtin e popujve.
Durrësi është si një portë hyrëse. Portë komerciale, porta drejt lindjes prej shumë vitesh. M’u dha mundësia të shfaqem në këtë qytet që është i mrekullueshëm. Nuk e njihja më përpara Shqipërinë. Njoha një vend të mrekullueshëm dhe njerëz fantastikë, ndaj jam i lumtur që gjendem këtu, për të prezantuar këtë projekt”,– deklaroi fotografi Saretta.
Në ceremoninë hapëse të ekspozitës u theksua nga të pranishmit puna e madhe e bërë në terren nga fotografi Massimo Saretta për të sjellë përmes secilit imazh një tablo më të gjerë të vendit, kulturës, traditave etj të popujve aziatikë.
“Viti i ri në Durrës nis me një ekspozitë tepër të rëndësishme të një fotografi tepër të rëndësishëm në nivel ndërkombëtar, sikundër është Massimo Saretta. Ai vjen për herë të parë në galerinë e qytetit, por edhe në Shqipëri. Sjell një botë të largët, sikurse është Azia, vende të lagëta dhe kultura të ndryshme”,- tha ndër të tjera kuratori Oltsen Gripshi
“Nëse e vini re, nuk ka asnjë tentativë për polemikë. Ka varfëri, skamje, por gjithçka është në vendin e vet. Në të njëjtën kohë kemi qenë të kujdesshëm edhe në përzgjedhjen e materialeve, veçanërisht në stampimin e librit dhe të fotove të ekspozuara”, tha kuratori italian Gastone Scarabello.
Ekspozita “Images from Azia” fton syrin dhe shpirtin të ndalen, të reflektojnë dhe të ndjejnë udhëtim vizual mes kulturave, ngjyrave dhe historive njerëzore të kontinentit aziatik.
M.B.





