Përveçse një qendër pedonale, sheshi “Skënderbej” ka tashmë edhe parkingun nëntokësor me mbi 300 vende, duke i dhënë zgjidhje problemit të parkimit të automjeteve në qendër të qytetit. Kryebashkiaku Veliaj ftoi qytetarët që të shfrytëzojnë parkingun nëntokësor publik, i cili ofron jo vetëm çmime më të lira, por njëkohësisht standarde dhe siguri.
“Kjo politika e parkingut është një politikë e cila për parkim te kali i Skënderbeut për më shumë sesa një orë është më i lirë sesa parkimi në rrugë. Ndaj u bëj thirrje të gjithë qytetarëve se, nëqoftëse kanë më shumë sesa një orë punë, u bie më lirë të parkojnë në parkun e sheshit Skënderbej. Politika e parkut është sigurisht e vështirë si mentalitet, por të mos harrojmë se njerëzit gjithmonë e kanë paguar parkimin, thjesht nuk ia kanë paguar Bashkisë, por ia kanë paguar atij që me një arkë zinte vendet e parkimit dhe nën kërcënimin se do t’i gërvishte makinën, gjithsesi ua merrte ato parà”, tha Veliaj.
Për herë të parë në Shqipëri, në parkingun nëntokësor të sheshit është vendosur një sistem i posaçëm për karikimin e automjeteve që funksionojnë me energji elektrike, duke renditur Tiranën mes qyteteve më të zhvilluara që aplikojnë një projekt të tillë.
“Është një risi që duam ta promovojmë. Ky është parkimi i parë nëntokësor në Tiranë, por edhe parkimi i parë nëntokësor me karikim elektrik. Edhe parkingu nëntokësor te ‘Bulevardi i ri’ do të ketë vende të posaçme për makinat elektrike. Ky është karburanti i së ardhmes, ndaj është më mirë që ne të fillojmë të përgatitemi që sot”, tha më tej Veliaj.