Me banakë ngjyrë rozë, tryeza në formë të takeve të larta dhe karrige të dekoruara me fustane pink, restoranti i parë me gjithçka të frymëzuar nga kukullat “Barbie” është hapur të mërkurën në Tajvan, duke iu dedikuar klientëve që e favorizojnë kukullën ikonë.
Prodhuesi amerikan i lodrave “Mattel” ia ka dhënë licencën restorantit të Tajvanit “Sinlaku” që të operojë me “Barbie Cafe” dhe shpreson që establishmenti i ri në lagjen e pasur me dyqane të kryeqytetit Tajpej të promovojë Barbien si një brend i ri i modës.
“E zgjodhëm Tajvanin për shkak se restorantet me tema të caktuara janë tejet popullore dhe të suksesshme në këtë vend. Jemi tepër të bindur se ‘Barbie Cafe’ mund të promovojë imazhin tonë si brend”, ka thënë Iggy Yip, një menaxhere e lartë e prodhimeve “Mattel” në Kinë. Përveç kukullave, “Mattel” prodhon edhe veshje, aksesorë dhe mobile në Tajvan dhe disa produkte të përzgjedhura të brendit do të ekspozohen në këtë restorant, thotë ajo.
Yip beson se restoranti do të tërheqë po ashtu edhe fansat e “Barbies” në Kinë, Hong- Kong dhe në Japoni, të cilët janë në mesin e burimeve më të mëdha të turizmit në Tajvan.
Jessica Ho, një punëtore në zyrën e kompanisë në Tajpej, e cila ka një vajzë pesëvjeçare, i dha miratimin e vet restorantit,
“Fëmija im dhe unë e duam së bashku ‘Barbien’ dhe ky vend i bukur dhe i këndshëm është sikurse një ëndërr që bëhet realitet për ne. Do ta sjell bijën time këtu për t’ia festuar ditëlindjen e ardhshme”, ka thënë ajo.
Tajvani ka një histori të gjatë me “Barbien”, pasi dikur ka qenë qendër prodhuese për këto kukulla, derisa “Mattel” e zhvendosi linjën e saj të prodhimit në Kinë dhe në vendet e tjera që kanë kosto më të ulët prodhimi, në fund të viteve ‘80.
“Mattel” ka themeluar një dyqan me të gjitha produktet “Barbie” në Kinë gjatë vitit 2009, ndërsa e festoi 50-vjetorin e kukullës, mirëpo dyqani u mbyll dy vjet më vonë për shkak të raporteve se prodhimet nuk janë dërguar sipas porosisë në terren.
Kliko për të parë Videon