Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro inspektoi gjatë ditës së sotme përfundimin e punimeve për rehabilitimin e segmentit rrugor që lidh Vorën me ish-fabrikën e tullave dhe doganën e Tiranës. Rruga me gjatësi 1.2 kilometra konsiderohej një ndër më problematiket për shkak të gjendjes së degraduar dhe fluksit në rritje të mjeteve që e përshkonin.

“Jemi në Vorë dhe duam të bëjmë me dije që projekti prej 1.2 km për rehabilitimin e plotë dhe të thellë të këtij segmenti shumë të rëndësishëm që lidh gjithë transportin e mjeteve të rënda me Doganën e Tiranës ka përfunduar 10 ditë para afatit. Kemi të bëjmë me një rehabilitim të thellë në të gjithë paketën e shtresave asfaltike, në kanalet kulluese dhe sinjalistikën horizontale e vertikale. Është një model i mirë i rehabilitimit të thellë dhe projektit të suksesshëm që kemi së bashku me Bankën Botërore”, u shpreh drejtori i ARRSh-së Qendro.

Ndërkaq, ai njoftoi se nga dita e enjte nis ndërhyrja në një tjetër segment të rëndësishëm, atë që lidh Vorën me Fushë-Krujën.

“Dua të bëj një njoftim tjetër. Do të komunikojmë në vijim edhe përmes medias, ditën e enjte ne fillojmë rehabilitimin e segmentit Vorë-Fushë Krujë. Do të bëjmë njoftimin përkatës si do të punohet bashkë me planin e trafikut që do hartohet në bashkëpunim me Policinë Rrugore”, nënvizoi Qendro.

I pranishëm në inspektim ishte dhe deputeti Sadi Vorpsi i cili tha se përmes investimit ka marrë zgjidhje dhe një kërkesë e kahershme e Bashkisë së Vorës për rrjetin e ujësjellësit.

Në segmentin Vorë – ish-Fabrika e Tullave janë realizuar punime të thella rehabilituese të cilat përfshijnë punime të plota të nënshtresave rrugore me një thellësi deri 80-90 cm; punime të shtresave asfaltike; punime të sistemit të kullimit të ujërave të shirave; ndërtimi i tombinove dhe punime të sigurisë rrugore që kanë të bëjnë me sinjalistikën horizontale dhe vertikale në të gjithë gjatësinë.

Vlera e investimit të kryer për rehabilitimin e këtij aksi rrugor arrin në rreth 616 mijë euro dhe punimet për të nisën gjatë muajit korrik.