Sipas burimeve të huaja është bërë e ditur se kanë filluar përgatitjet për çështjen e shumëpritur ligjore ngritur nga nëna e idhullit të muzikës, Michael Jackson, kundër organizuesve të koncerteve, për të cilët ajo thotë se janë përgjegjës për vdekjen e djalit të saj. 

Nëna e tij Catharine Jackson ka paditur firmën AEG, duke kërkuar drejtësi për vdekjen e djalit të saj. Ajo pohon në padi se kjo firmë u tregua neglizhente në punësimin e Dr. Conrad Murray për t’u kujdesur për Michael Jacksonin në prag të koncertit të planifikuar në Londër në vitin 2009. 

Firma AEG argumenton se Jackson kishte një histori të gjatë të abuzimit me drogë para se ai t’i nënshtrohej trajtimit nga doktor Murray. 

Ndërkohe Conrad Murray, mjeku i Michael Jackson, i dënuar me katër vjet burg për dozën fatale me propofol që i dha Jackson, thotë se ai është “i pafajshëm” . 

Në një intervistë telefonike nga burgu për CNN, Murray këmbëngul se nuk do të dëshmojë në procesin që është hapur në Los Angeles, në të cilin familja e Jackson akuzon AEG-në, firmën që ka organizuar turin e fundit të yllit të muzikës pop, se nuk e ka monitoruar mjaftueshëm Murrayn. “Nuk kam pasur një mandat paraqitjeje në proces. Gjykatësi, që më ka dënuar, ka pasur shumë parregullsi”, është shprehur Murray. 

Mjeku dëshiron të bëjë apel kundër vendimit të gjykatësit dhe ka shumë shpresa për këtë. I ashtuquajturi Mbreti i muzikës Pop u nda nga jeta në qershor të vitit 2009 në Los Angeles. Në vitin 2011, një gjykatë e shpalli Murrayn fajtor për vrasje pasi i kishte dhënë këngëtarit një mbidozë ilaçi propofol për t’a ndihmuar të flinte.