Kroçera luksoze “MV Hamburg” mbërriti mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit, ndërsa në bord ka 270 pasagjerë nga vende të ndryshme të Evropës si Franca, Belgjika, Gjermania etj.
Kjo është kroçera e parë për këtë vit që prek portin më të madh në vend duke hapur zyrtarisht sezonin e kroçerave në qytetin bregdetar.
“Kemi ardhur nga Pireu dhe në bord kemi pasagjerë nga Gjermania, Franca dhe vende të tjera. Ndaluam më parë në Sarandë dhe Vlorë dhe më pas do të udhëtojmë drejt Malit të Zi, në portin e Kotorrit. Fatmirësisht koha është shumë e mirë dhe pasagjerët janë mjaft të kënaqur. Ata e pëlqejnë udhëtimin në portet e Mesdheut. Ndalesa e fundit do të jetë Venecia”,- deklaroi kapiteni i kroçerës, Igor Gaber, për mediat.
Ky sezon i ri i krocerave do të sjellë në Durrës 3 linja të reja të anijeve luksoze turistike, që e përfshijnë për herë në parë në itinerarin e tyre portin më të madh në vend. Këtë vit pritet që nga prilli e deri në tetor në Durrës të ankorohen rreth 20 kroçera turistike.
“E reja e këtij sezoni turistik është që janë futur 3 linja të reja kroçerash si Oceania, Emerald Azzurra etj, të cilat kanë zgjedhur Durrësin si portin kryesor të Shqipërisë për të vizituar. Kroçera “Hamburg” ka qenë dhe herë të tjera në portin e Durrësit. Këtë herë ka zgjedhur t’i vizitojë të 3 portet e vendit tonë”,- tha kapiteni i portit të Durrësit, Tauland Allka.
Përgjatë vitit 2024, në klalatat portuale u ankoruan 19 krocera dhe veliera me përmasa të ndryshme, ndërsa janë dhe 424 jahte me turistë nga më shumë se 40 vende të botës që kanë mbërritur në qytetin bregdetar.
M.B.