Rreth 86 milionë lekë të vjetra do të kushtojë sistemi i ndriçimit LED në 4 rrugë të Durrësit. Bashkia ka hapur sot procedurat e tenderit për të shpallur kompaninë fituese që do të përzgjidhet për të realizuar këtë projekt.

Bëhet fjalë për akset rrugore “Shoqeria Bashkimi”, “Aleks Komeni”, “Kristaq Boshnjaku” dhe “Paskal Prodani”.

Në total janë rreth 1000 metra linear rrugë që do të kenë këtë sistem ndriçimi.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për vitin 2021, ku u miratua edhe buxheti i viti 2022, kryebashkiakja Emiriana Sako njoftoi se përgjatë këtij viti do të vendoset ndriçimi LED në 16 rrugë të Durrësit, zonës së Plazhit dhe Shkozetit.

Tenderi për 4 akset e sipërpërmendura pason atë të hapur në muajin shkurt për 3 rrugë të tjera të qytetit që do të pajisen me ndriçim LED.

Të gjitha kompanitë e interesuara, kanë afat deri më datë 4 prill të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar.

Në rrugët “Bashkimi” dhe “Paskal Prodani” do të vendoset sistemi i ndriçimit në të dy anët e aksit, ndërsa në dy rrugët e tjera (“Aleks Komeni” dhe “Kristaq Boshnjaku”), vetëm në njërën anë, specifikohet në dokumentet e tenderit