*Të gjithë pronarët do të kompensohen me 6.6 milionë lekë
Qeveria vendosi sot për shpronësimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Maminas-Gjiri i Lalëzit”. Sipas vendimit të sotëm të marrë nga Këshilli i Ministrave, shpronësimi do të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
“Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “objekte”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 6 684 254 (gjashtë milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër) lekësh”, thuhet në vendim.
Mësohet se nga vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 6 684 254 (gjashtë milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër) lekësh, do të përballohet nga buxheti i vitit 2015, ndërsa shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Likujdimi i pronarëve do të fillojë menjëherë pas çeljes së fondit.
Në vendim theksohet se, “pronarët e pasurive të listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar”.
Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, do të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës urdhërohet të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.