Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka njoftuar hapjen e Thirrjes së 8 të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës për të gjithë të rinjtë e moshës 21-26 vjeç, që zotërojnë minimalisht një diplomë Bachelor.

Përmes një video-mesazhi, Muzhaqi thekson se aplikimet për 1579 pozicione të lira në institucionet e administratës shtetërore, shoqëri tregtare dhe OJF, do të qëndrojnë të hapura deri më 30 qershor 2023.

Për të gjithë ata që zotërojnë një diplomë Bachelor, me vetëm një CV dhe letër motivimi, mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Thirrjes 8 të PKPP, për të vënë në zbatim njohuritë e tyre teorike dhe të fitojnë njohuri praktike, duke mundësuar kështu një kalim të thjeshtë nga procesi mësimor në atë të tregut të punës.

Lajmi është shpërndarë edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili krahas mesazhit të Muzhaqit, u bën thirrje të gjithë të rinjve të aplikojnë për t’u bërë pjesë e praktikës 3- mujore.

“Mirëmëngjes dhe me ftesën për të gjithë të rinjtë e moshës 21-26 vjeç, që zotërojnë minimalisht një diplomë Bachelor, për të aplikuar në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës në Thirrjen VIII, për 1579 pozicione të lira në institucionet e administratës shtetërore, shoqëri tregtare dhe OJF, ju uroj një javë të mbarë. Apliko të bëhesh pjesë e praktikës 3-mujore”, shkruan Rama.