Nga dita e sotme 22 qershor, do të lejohen të gjitha linjat e transportit ndërkombëtar të pasagjerëve, por vetëm për shtetasit shqiptarë me rezidencë të përhershme në Itali (soggiorno), dhe shtetasit e BE-së.
Këta do të mund të udhëtojnë lirshëm nga Durrësi drejt porteve italiane, ndërsa nga data 1 korrik 2020, bazuar në dispozitat aktuale të BE-së, transporti detar i pasagjerëve drejt Italisë do të jetë i hapur për të gjithë shtetasit shqiptarë.
Lejohen gjithashtu të lëvizin me transport ndërkombëtar të trageteve të gjithë shtetasit e huaj që ndodhen në Shqipëri ose vijnë në Shqipëri për arsye pune.
– Lejohen të lëvizin nga dhe për në Shqipëri, të gjithë shtetasit Shqiptarë që janë rezidentë në vendet e BE, dhe janë të pajisur me dokumenta të shteteve të BE ose shteteve të tjera jashtë BE.
– Do të lejohen të lëvizin të gjithë diplomatët Shqiptarë dhe të huaj, si dhe diplomatë të Republikës së Kosovës me automjetet e tyre personalë në hyrje dhe ne dalje për dhe nga Shqiperia.
Në këtë situatë të re, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se përgjegjesia do të jetë e shoqërive të transportit ndërkombëtar detar të pasagjerëve, të cilat duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm, për të mundësuar rezervimin e lundrimit për dhe nga Portet e Republikës së Shqipërisë.
Shoqëritë e Transportit ndërkombëtar detar të pasagjerëve do të jenë përgjegjëse edhe për të informuar pasagjerët për kufizimet e mundshme në fuqi për nisjet nga portet e Republikës së Shqipërisë dhe destinacionin e synuar si dhe rregullat e kujdesit dhe sigurisë së shëndetit në destiancionin ku ata do të mbërrijnë.
Drejtoria e Përgjithshme Detare do të monitorojë zbatimin e të gjitha masave si dhe planin e veprimit për zbatimin e detyrimeve të parashikuara në Protokollin e Operimit të Transportit Detar, të miratuar me Urdhërin Nr.169, datë 5 qershor 2020, të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme Detare dhe portet detare në vend është e angazhuar për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm në mënyrë që të garantohen lundrime të sigurta duke mos cenuar sigurinë e shëndetit të punonjësve të sektorit dhe të pasagjerëve.





