Kryeministri Edi Rama, zv/Kryeministri i Kosovës Fatmir Limaj dhe ministrat e Financave të të dy vendeve, morën pjesë këtë të martë në hapjen e zyrës doganore të Kosovës në portin e Durrësit.

Nga sot Kosova e ka portin e vet, ashtu siç edhe e ka pas, por formalisht, porta e ekonomisë së Kosovës do të jetë Durrësi, si qendër e rëndësishme e zhvillimit tonë ekonomik”, tha koordinatori kombëtar i dy qeverive, Fatmir Limaj.

Ndërsa për Kryeministrin Edi Rama, ky hap e kthen kufirin mes dy vendeve në formal.

Më vjen mirë që sot ne mblidhemi në një stacion tjetër të udhëtimit tonë të projektuar në mbledhjen e përbashkët të qeverive për të çelur zyrën doganore të Kosovës në Durrës dhe për ta kthyer kështu Portin e Durrësit, jo vetëm në doganë të Shqipërisë, por edhe të Kosovës”, tha Rama.

“Dogana e Kosovës këtu në Durrës është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës”, shtoi ai.