Piktori Rudolf Faja, nipi i të famshmit Agim Faja, ka hapur ekspozitën e parë personale “Hapi i parë”. Megjithëse në këto muaj të vështirë pandemie që po kalojmë artistët kanë qenë ndër kategoritë shoqërore më të dëmtuara, Faja ka “guxuar” për të sjellë një mori punimesh, të realizuara kohët e fundit.
Ashtu siç pranon dhe vetë, pjesa më e madhe e punimeve, kryesisht peisazhe, portrete dhe natyra të qeta, janë realizuar gjatë periudhës së karantinës.
Me rrënjë të forta në qytetin e lindjes, në tablotë e Rudolfit nuk kishte sesi të mungonte Shijaku, natyra e bukur e peisazheve rurale, të cilat kanë ardhur mjaft ngrohtë në punimet e piktorit të ri.
Për fat të mirë, karantina dhe izolimi kanë ndikuar për mirë në krijimtarinë e tij.
“Karantina dhe izolimi kanë ndikuar pozitivisht në aspektin e krijimtarisë, sepse kohën që mund ta kaloja në aktivitete të ndryshme e kufizova vetëm në punën time”,– thotë Faja.
Në ekspozitë, Rudolf Faja ka sjellë edhe një tablo ku pasqyrohet oborri i shtëpisë së tij. Për piktorin, tani ky peisazh merr një vlerë edhe më të madhe, pas shembjes së shtëpisë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Rudolf Faja ka marrë pjesë në një sërë ekspozitash kolektive në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve.