Nga HAJREDIN ISUFI

Jahja Ballhysa lindi në qytetin e Peqinit në vitin 1857. Që në moshë të re u detyrua të shpërngulej e të vendosej familjarisht në Durrës për shkak të gjendjes së vështirë që iu krijua kur mercenarët e Demir pashë Peqinit vranë në një ditë xhaxhanë dhe një të afërm të tij. Me ndihmën e miqve të familjes, Jahjai shkoi për të ndjekur mësimet e mesme në kolegjin e mirënjohur të Shën Miter Koronës në Kalabri, ku arbëreshi i shquar Jeronim de Rada përgatiti një brez të tërë atdhetarësh e mjaft lëvrues të gjuhës shqipe. U kthye në atdhe me një kulturë të përparuar për kohën. Vitet e para pas kthimit ishin padyshim vitet e akumulimit të njohurive për njerëzit, për problemet e vendit, vitet e kontaktit me brezin e ri durrsak. Ai u lidh me rrethet atdhetare të fshehta të qytetit të Durrësit, ku luajti që në fillim një rol të rëndësishëm.

Në përgatitjen e tij politike, si dhe të atdhetarëve të tjerë durrsakë, ndikoi ndjeshëm gazeta “Drita” (Sofje, 1901-1908), që ishte organi me i përparuar i shtypit të asaj kohe me përhapje të gjerë në Shqipërinë e Mesme, veçanërisht në rrethin e Durrësit. Në fund të shek. XIX gjendja arsimore në trevën e Durrësit ishte e vajtueshme. Masa dërrmuese e popullsisë, sidomos në fshat, ishte analfabete. Rrjeti arsimor ishte tepër i kufizuar, sistemi shkollor ishte i cunguar nga përmbajtja. Porta e Lartë lejonte çdo institucion klerikal dhe çdo fuqi të huaj, duke përfshirë edhe monarkitë ballkanike, të organizonin shkolla në gjuhën e tyre në të katërta anët e Perandorisë së saj, kurse hapjen e shkollave shqipe dhe përdorimin e shkrimit shqip në sistemin arsimor, në fushën e kulturës dhe në administratë e ndalonte. Kështu, sipas salnamesë turke për Vilajetin e Shkodrës të vitit 1313 (1897) në qytetin e Durrësit kishte 5 shkolla fillore të huaja (dy shkolla në gjuhën turke për nxënësit myslimanë, dy shkolla në gjuhën greke për nxënësit ortodoksë dhe një shkollë në gjuhën italiane për nxënësit katolikë, një shkollë plotore (ruzhdie) në gjuhën turke dhe një shkolle fetare në gjuhën arabe. Pra, gjithsej 7 shkolla të huaja dhe asnjë shkolle shqipe. Si kudo në Shqipëri, edhe në Durrës në shkollat e cikleve të ndryshme lëndët mësimore bëheshin në gjuhë te huaja. Pas Greqisë, e cila hapi shkollën e parë greke në Durrës në vitin 1870 e drejtoi vëmendjen në jetën arsimore të këtij qyteti Austro-Hungaria, Italia, Rumania e Serbia. Subvencionet e shteteve të huaja për politikën e tyre arsimore derdheshin pa kursim. Në këtë atmosferë rivalitetesh midis fuqive të huaja e filloi veprimtarinë e tij atdhetari Jahja Ballhysa.

SHOQATA ATDHETARE “VËLLAZËRIA”

Në vitin 1907 në qytetin e Durrësit u krijua në ilegalitet shoqata atdhetare “Vëllazëria”. Ndër themeluesit dhe drejtuesit kryesorë të shoqatës, si Dom Nikollë Kaçorri, dr.Neki Libohov, Sulejman Kadiu dhe Stef Kaçulini, ishte edhe Jahja Ballhysa. Shoqata nuk pati program të mirëfilltë politik, por anëtarët e saj bënë punë të palodhur për mësimin e përhapjen e gjuhës shqipe në popull. Në kushtet kur mësimi dhe përdorimi i gjuhës shqipe ishte i ndaluar nga pushtetarët osmanë, çdo veprimtari për lëvrimin e gjuhës shqipe merrte edhe karakter politik.

Menjëherë pas shpalljes së Hyrjetit (korrik 1908) në Durrës dhe në rrethinat e tij lëvizja atdhetare u gjallërua shumë. Populli duke shfrytëzuar dështimin e plotë të administratës së vjetër të sulltanit dëboi nëpunësit turq dhe bëri përpjekjet e para për të mësuar gjuhën amtare hapur e në mënyrë të organizuar. Revolucioni xhonturk krijoi një situatë të re politike për shqiptarët. Rënia e absolutizmit dhe shpallja e kushtetutës u përshëndet nga shqiptarët si fitore e lirisë. Por mjaft atdhetarë shqiptarë, midis të cilëve edhe ata të Durrësit, nuk patën iluzione për karakterin liberal e demokratik të lëvizjes së turqve të rinj dhe të pushtetit të tyre. Ata ishin të bindur se xhonturqit shumë shpejt do të shkelnin liritë e shpallura, sidomos të shqiptarëve. Në një mbledhje që u organizua në famullinë e Durrësit nën drejtimin e Dom Nikollë Kaçorrit, ku u kërkua që atdhetarët durrsakë të shpejtonin veprimtarinë e tyre në dobi të çështjes kombëtare.

Në mbështetje Dom Nikollë Kaçorri, Jahja Ballhysa, Kristo Dako dhe atdhetarët e tjerë durrsakë kërkuan të gjenin një mësues të aftë për gjuhën shqipe në Durrës. Në të njëjtën kohë me përpjekjen e tyre mësimi i gjuhës shqipe u fut në shkollën fillore turke të qytetit. Në dhjetëditëshin e parë të muajit shtator të vitit 1909, atdhetarët durrsakë dërguan delegacionin e tyre në Kongresin e Elbasanit. Në të bënin pjesë famullitari katolik Dom Nikollë Kaçorri, tregtari mysliman Jahja Ballhysa dhe ortodoksi Mihal Gjyraskoviç (Sava). Në Kongresin e Elbasanit, Kaçorri dhe Jahja Ballhysa u shquan gjithashtu si atdhetarë konsekuentë. Kaçorri dhe Ballhysa përkrahën hapur vendimet që u morën në kongres për çështjen e autonomisë së Shqipërisë, për zhvillimin e mëtejshëm të shkollës kombëtare, për shkrimin e gjuhës shqipe me alfabetin latin, për hapjen e shkollës normale të Elbasanit, ku do të përgatiteshin mësuesit e shkollave shqipe të të gjithë vendit, për njohjen e Klubit të Manastirit si klub qendror etj.. Kongresi i Elbasanit miratoi një shumë prej 700 lirash për nevojat e shkollës normale. Delegati i Durrësit, Jahja Ballhysa, dha 50 lira në ndihmë të shkollës. Në atë shkollë do të shkonin edhe dy nxënës nga Durrësi.

Pasi u kthye në qytetin e Durrësit, delegacioni i Kongresit të Elbasanit punoi për të njohur popullin me vendimet e tij. Delegatët e Durrësit, kryesisht Dom Nikollë Kaçorri e Jahja Ballhysa mblodhën bashkëpunëtorët e tyre në një nga dhomat e famullisë dhe u folën për rëndësinë e vendimeve të Kongresit të Elbasanit dhe për mbresat e thella që u kishte lënë fryma e atdhetarizmit që përshkoi punimet e këtij kongresi. Pastaj Jahja Ballhysa u ngarkua për të zbërthyer vendimet e Kongresit të Elbasanit në disa mbledhje të veçanta me grupe qytetarësh në Durrës, Kavajë, Shijak e Tiranë. Në një raport konsullor të atyre ditëve thuhet se “qytetarët e këtyre viseve i miratuan unanimisht vendimet e Kongresit të Elbasanit”. Është me interes të theksohet se caktimi i Jahja Ballhyses nga kryesia e lëvizjes atdhetare të Durrësit në detyrën e misionarit për çështjen kombëtare në rrethinat e Durrësit nuk ishte rastësi. Ato që e bënin misionin e tij të suksesshëm ishin në radhë të parë, ndershmëria dhe besimi që ai gëzonte në të gjithë popullsinë e rrethinave të Durrësit, pa dallim feje e klase. Familja e Ballhysajve njihej si familje bujare, mikpritëse dhe e besës. Durrsakët e vjetër kujtonin vite më parë se në shtëpinë e Ballhysajve gjente strehë edhe i pasuri, edhe i varfëri. Pasi kishin siguruar një mbështetje jo të vogël në qytetin e rrethinat e Durrësit, ata vendosën të hapin zyrtarisht, kundër vullnetit të xhonturqve, klubin “Bashkimi”. Një veprim i tillë, në kushtet tepër të acaruara politike të krijuara në atë kohë në qytetin e Durrësit, kërkonte maturi, guxim e vendosmëri. Detyra për të kontaktuar me autoritetet vendore xhonturke iu ngarkua Jahja Ballhysës.

Ashtu siç parashikohej, autoritetet vendore e refuzuan në mënyrë të prerë për hapjen e klubit atdhetar. Por, ata u detyruan ta pranojnë atë pas sfidës zyrtare që u bëri atdhetari Jahja Ballhysa, i cili u kumtoi se edhe pa dëshirën e autoriteteve vendore xhonturke, populli i Durrësit do ta themelonte klubin e vet. Ecurinë e veprimeve të atdhetarëve durrsakë e përshkruan qartë një dokument gazeta, “Liria”, Selanik, 12 vjeshta e parë 1909. “Më 14 shtator 1909 u paraqit para mytesarifit, Zeki Beut, tregtari Jahja Ballhysa, i cili i dorëzoi një lutje, ku njoftohej se së shpejti në qytetin e Durrësit do të çelej klubi. Mytesarifi iu përgjigi se nuk mund ta miratonte një vendim të tillë përderisa në këtë qytet kishte një klub (e kishte fjalën për klubin e oficerëve). Jahja Efendiu u largua duke i deklaruar atij se populli e ka marrë një herë këtë vendim. Të nesërmen ai shkoi përsëri te mytesarifi dhe i kërkoi një vërtetim për dorëzimin e lutjes. Zeki Beu e kundërshtoi me vendosmëri këtë kërkesë. Më pas Jahja Efendiu, duke marrë me vete dhe dy dëshmitarë, hartoi një protokoll në prani të mytesarifit ku vërtetonte refuzimin e tij. Më 17 shtator, atdhetarët durrsakë, kundër vullnetit të mytesarifit, hapën klubin që e pagëzuan me emrin “Bashkimi”. Durrësi, qyteti i traditave atdhetare, ashtu siç e kishte parashikuar Jahja Ballhysa e bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, përjetoi çastin më të gëzuar në historinë e tij: hapjen për herë të parë të një klubi atdhetar, që do të kthehej në një vatër të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare shqiptare.

Në ceremoninë e hapjes së klubit ku ishin të pranishëm rreth 180 veta, myslimanë, ortodoksë e katolike, u mbajtën fjalime përshëndetëse nga shumë atdhetarë durrsakë, midis të cilëve ishte dhe Jahja Ballhysa, i cili iu drejtua turmës: “Vëllezër, klubi do të na bashkojë më shumë, do të na vëllazërojë, do na shpëtojë nga errësira”. Atë ditë festive ishte i pranishëm edhe Kristo Dako, i cili me një fjalë të shkurtër përshëndeti nismën e atdhetarëve durrsakë. Jahja Ballhysa deklaroi që në fillim se klubi do të kishte karakter kulturor. Kjo deklaratë sikur i qetësoi disi qeveritarët xhonturq në Durrës, të cilët, megjithëse të ftuar, qëndruan larg kësaj ceremonie. Për këtë ngjarje të shënuar njoftimin e parë e bëri të njohur korrespondenti nga Durrësi, D. Kadiu, i gazetës “Bashkimi i Kombit”, i cili, ndër të tjera dha edhe përbërjen e pleqërisë së klubit të zgjedhur nga populli, ku bënin pjesë: Jahja Efendiu (Ballhysa) – kryetar, Abaz Efendiu (Çelkupa), Mihal Rama, Filip Serreqi, Pavli Terka. Edhe Dalip Isaku, një qytetar durrsak me origjinë nga Kruja, njoftonte me 18 të vjeshtës së parë 1909, miqtë e tij në Krujë për hapjen e klubit patriotik në Durrës. Hapja e klubit “Bashkimi” i dha hov të madh lëvizjes atdhetare.

Një nga sukseset e tij të para ishte futja e mësimit të shkrimit shqip në shkollën idadije (në gjimnaz) të Durrësit, mësuesi i së cilës ishte atdhetari i njohur Sali Nivica, që sapo ishte diplomuar në shkollën “Zosimea”. Por suksesi më i madh i klubit “Bashkimi” ishte tërheqja e popullsisë durrsake në radhët e tij. Në luftën kundër administratës perandorake, kundër klubit xhonturk (“Ittihad ve Terakki”) dhe kundër reaksionit antishqiptar, kryetari i parë i klubit, Jahja Ballhysa, pati si bashkëpunëtorë të ngushtë Dom Nikollë Kaçorrin, Sulejman Kadiun, Mihal Ramen, Kristaq Ramën, Agustin Serreqin, Stef Kaçulinin, Hysen Halimin, Abaz Çelkupën, Sali Nivicën, Hafiz Ali Podgoricën, Neki Libohovën e shumë të tjerë, të cilët me ndjenjat dhe pikëpamjet e tyre përfaqësonin aspiratat e popullsisë qytetare e fshatare të Durrësit. Kryesia e klubit synonte ta realizonte programin e vet nëpërmjet anëtarëve të saj jo vetëm në qytet, por edhe në rrethina. Vetë kryetari i klubit, Jahja Ballhysa, ishte tepër aktiv, lëvizte nga njëra zonë në tjetrën me bashkëpunëtorët e tij jo vetëm për të përhapur e popullarizuar programin e klubit, por edhe për të zgjeruar lidhjet me rrethet atdhetare të Shijakut, Kavajës, Tiranës, Ishmit, si edhe për të krijuar lidhje e bashkëveprim me klubet e tjera. Çështja e arsimit shqip, e pajisjes së nxënësve me Abetare shqipe ishte në qendër të vëmendjes të kryetarit të klubit. Për të plotësuar nevojën e madhe që kishin për Abetare shqipe, Jahja Ballhysa iu drejtua mikut të tij, Lef Nosit, në Elbasan.

LETRA E BALLHYSËS PËR LEF NOSIN

Në datën 15 të vjeshtës së dytë të vitit 1909, ai i dërgoi këtë letër Lef Nosit,

“Zot i nderçëm Lef Nosi,

Ju falemi me nder. Kemi për qëllim se këto dhjetë ditë klubi do të çelë shkollë shqipe të veçantë e pra ju lutemi tepër të keni mirësinë që së shpejti të na çoni 150 Abetare të pëlqyera prej zotnisë suaj, ashtu si edhe ato libra që mund të merren me një kafshë. Na ndjeni zotëri se edhe në mos pastë aty nga këto që ju kërkojmë, meqenëse me klubin qendror të Manastirit kemi letërkëmbim, mundohuni sa më shpejt t’i bini që andej dhe me vrap na i dërgoni. Kështu, Zotni, Pleqësia e Klubit, që ju falet me nder dhe pret mundimin dhe mirësinë e zotnisë suaj”

Letra nënshkruhej nga kryetari i klubit “Bashkimi” në Durrës – Jahja Ballhysa. Në fund të kësaj letre ka një shënim të shkurtër, me anën e të cilit i kërkohej Lef Nosit që të njoftonte klubin “Bashkimi” për çmimin e Abetareve, për të dërguar të hollat në një adresë ku do ta shikonte të pëlqyeshme Lef Nosi. Hapat që ndërmori Jahja Ballhysa për të siguruar Abetare shqip për të mësuar djelmoshat durrsakë, qenë të suksesshme. Lef Nosi nisi në adresë të Durrësit një sasi librash.

Në të njëjtën kohë, kryesia e klubit “Bashkimi” ne një letër që i dërgonte Klubit të Manastirit i kërkonte t’i niseshin 100 copë Abetare. Këto libra u përgatitën nga Parashqevi Qiriazi dhe u dërguan menjëherë në Durrës, ku u përdorën si mjete mësimore për nxënësit që ndiqnin shkollën e mbrëmjes pranë klubit. Nacionalistët xhonturq nuk u kufizuan vetëm me agjitacion gojor, por kaluan edhe në dhunë të hapur me shpresë se frika do t’i detyronte durrsakët të largoheshin nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare. Kështu, menjëherë pasi u hap zyrtarisht klubi “Bashkimi”, një grup njerëzish të mashtruar, të ardhur nga rrethinat (150- 200 veta), të nxitur nga xhonturqit, sulmuan lokalýn e klubit. Një sulm tjetër u krye dy muaj më vonë. Për veprimtarinë e Jahja Ballhysës në mbrojtje të klubit nuk kemi shumë të dhëna.

Por preokupimi i tij i madh në mbrojtje të çështjes kombëtare shprehet qartë në letrën që i dërgonte Lef Nosit, të cilit i kërkonte ndjesë që nuk i kishte kthyer përgjigjen e letrës që kishte marrë prej tij. Arsyen e vonesës së përgjigjes Jahja Ballhysa e shpjegon: “Na falni zotni për mospërgjigjen në kohë, e cila s’ka pasur përveç shkakun e disa punërave qü kemi pasur këto ditë…” . Kjo letër e Jahja Ballhyses, siç e kemi përmendur, mban datën 22 të vjeshtës së tretë 1909. Pra, letra ishte shkruar menjëherë pas qetësimit disi të situatës në Durrës. Në një letër të shkruar nga Agustin Serreqi më 29 tetor 1909 dhe nënshkruar me pseudonimin “Shkambi i Durrësit”, duke përshkruar situatën e rëndë që kalonte lëvizja atdhetare në Durrës dhe klubi “Bashkimi”, thuhet: “… Klubi ‘Bashkimi’ këtu u prit me shumë gëzim… por disa shqiptarë të cilët për ca lugë pilaf që u japin xhonturqit organizuan një grup prej ca njerëzish të poshtër që thërrisnin se s’duam klubin dhe gjuhën shqipe, sepse na bën kaur. Këta (kryesia e klubit dhe anëtarët e simpatizantët e tij-HBH., H.I.) i dërguan një letër Valiut në Shkodër që të frenoheshin këta njerëz, të cilët janë në rrezik të dalin dinit. Letra e Agustin Serreqit përfundon se përballë mytesarifit të Durrësit, që ishte nxitësi kryesor i këtyre veprimeve, kryesia e klubit protestoi në Ministrinë e Arsimit, te Valiu i Shkodrës si dhe në Klubin Qendror të Manastirit kundër administratës vendore xhonturke dhe Klubit të Oficerave.

Këto protesta, siç mësojmë nga letra e Agustin Serreqit, përpiloheshin në pleqësinë e klubit nga kryetari Jahja Ballhysa dhe niseshin për në qytete të ndryshme: Shkodër, Manastir e gjetkë, të nënshkruara prej tij. Një ndihmesë të madhe dhanë në mbrojtje të klubit publicistët atdhetare durrsakë. Sali Nivica, që në atë kohë vepronte pa rezerva në mbrojtje të klubit “Bashkimi” dhe të çështjes kombëtare, shkroi një artikull në gazetën “Dielli” ku vinte në dukje: “… Ca njerëz pa ndjenja patriotike kanë ndërhyrë kundër klubit që u hap… Klubi do të vejë përpara se në kryesinë e klubit janë shqiptare të vërtetë”. Mesazhi që përcjell publicisti atdhetar kurveleshas nga qyteti i Durrësit, shpreh qartë se kryetari i klubit “Bashkimi”, Jahja Ballhysa, ështe i suksesshëm në misionin për t’a çuar klubin përpara, se kishte fituar besimin absolut të mbështetësve të tij dhe quhej, si edhe bashkëpunëtorët qe drejtonin klubin, “shqiptar i vërtetë”.

Këto vlerësime ai i kishte fituar për përkushtimin që tregonte për realizimin e platformës politike e atdhetare të klubit dhe për qëndresën e vendosur kundër armiqve të çështjes kombëtare shqiptare që donin të pengonin përparimin. Mbështetja që gjeti klubi i Durrësit dhe shkolla e mbrëmjes që ishte hapur pranë tij bëri që ai jo vetëm të mos kishte fatin e klubit të Tiranës, që u mbyll nga xhonturqit pak kohë pasi u hap, në 10 të vjeshtës së tretë të vitit 1909, por që dita-ditës të hidhte hapa përpara, si ai ashtu edhe shkolla. Shkolla e parë shqipe për djelmoshat durrsakë, pa dallim feje, u hap në sajë të përpjekjeve të drejtpërdrejta të Jahja Ballhysës. Ai me paratë e veta siguroi abetaret shqipe, dhe një nga dhomat e shtëpisë së tij e ktheu në klasë mësimi për të mësuar fëmijët durrsakë të shkruanin e të lexonin në gjuhën amtare. Në shtypin atdhetar vendës hasim të dhëna komprometuese edhe për Mihal Gjyraskoviçin, sllav që banonte në Durrës. Gazeta “Liri e Shqipërisë” ndër të tjera shkruante: “Më 9 të vjeshtës së parë 1913 nën kryesin e dhespotit grek në Durrës, Jakovit dhe Mihal Gyraskoviçit ishte organizuar një miting me njerëzit e tyre dhe kishin folur kundër Ismail Qemalit dhe Qeverise së Vlorës”.

Kryetari i një klubi atdhetar si ai i Durrësit nuk mund të punonte me elemente antishqiptarë, që kishin depërtuar në atë vatër patriotike. Ndërsa Jahja Ballhysa dhe bashkëpunëtorët besnikë të tij i ishin vënë punës për ta çuar përpara çështjen kombëtare, për të mbajtur premtimin që u kishin dhënë anëtarëve dhe simpatizantëve të klubit shqiptar se, “Klubi do të kishte vetëm përparime dhe ecje përpara”. Ishte e natyrshme se një figurë e pastër patriotike e me karakter të fortë si ajo e Jahja Ballhysës, që i kishte përkushtuar çështjes kombëtare jetën e tij dhe pasurinë, nuk mund të bashkëpunonte me këta njerëz e të qëndronte në rolin e kryetarit. Në vjeshtën e tretë të vitit 1909 Jahja Ballhysa dha dorëheqjen nga të qenit kryetar i klubit. Ai la detyrën e kryetarit, por për asnjë çast nuk u ligështua, përkundrazi me më shumë forcë u bashkua me një grup atdhetarësh që kishin të njëjtat ideale dhe ndërmorën një hap të ri në dobi të çështjes kombëtare.

Ata krijuan një shoqëri te re, që nuk e pagëzuan me asnjë emër. Kjo shoqëri e patriotëve Agustin Serreqi, Vasil Rusi, Neki Libohova, i tregtarit Kristaq Cili, i myftiut të Durrësit etj., që drejtoheshin nga Nikollë Kaçorri dhe Jahja Ballhysa, paraqitet si nismë e një grupi patriotësh për t’u mësuar shkrim e këndim shqip atyre të rinjve që nuk mund të frekuentonin klubin e shkollën e dërguar mbrëmjes. Kjo nismë e re e patriotëve durrsakë, siç vinte në dukje një gazetë e kohës, qe shumë e suksesshme e dita-ditës “bënte hapa përpara me vrap”. Ky grup patriotesh, krahas përhapjes së shkrimit shqip kishte dhe një mision tjetër tepër të rëndësishëm që t’i përgjigjej flakë për flakë kërkesës së klubit të Manastirit, i cili i ftonte telegrafisht klubet e Ohrit, të Dibrës, Starovës, Elbasanit, Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Vlorës, Korçës, Gjirokastrës, Janinës e të Shkupit, që të krijonin komitetet e kryengritjes e të dërgonin në mal 100 luftëtare që të bashkoheshin me kryengritjen e malësorëve, nëse qeveria xhonturke do të luftonte haptazi alfabetin latin.

Kësaj thirrjeje Durrësi iu përgjigj menjëherë duke krijuar komitetin dhe luftëtarët vullnetare për të qenë të gatshëm. Raportet vjeneze që dërgoheshin nga Manastiri njoftojnë se në Durrës ishte krijuar komiteti i fshehtë dhe ndikimi i tij ishte aq i madh sa ishte vështirë merrej me mend. Në përbërjen e këtij komiteti bënin pjesë figurat më të shquara të lëvizjes atdhetare durrsake, si Dom Nikollë Kaçorri, Jahja Ballhysa, Stef Kaçulini, Kasem Durrësi, Hafiz Ali Podgorica, Agustin Serreqi, Sulejman Kadiu etj.. Nuk kaloi shumë kohë dhe rrjedhat e ngjarjeve ndryshuan. Në përbërjen e klubit, nën trysninë e opinionit të shëndoshë patriotik të anëtarëve dhe të simpatizantëve të klubit, Pavli Terka e të tjerë dhanë dorëheqjen dhe kështu klubi patriotik “Bashkimi” kaloi në duar të shëndosha, ku bënte pjesë edhe Jahja Ballhysa, Abaz Çelkupa, Agustin Serreqi, Hafiz Ali Podgorica, Sulejman Kadiu, Mihal Rama, Must Hanxhiu, Saida Kërtusha, Kristaq Rama. Sa i lidhur ishte Jahja Ballhysa me kryengritjen e vitit 1910, e shpreh edhe një fakt që duhet marrë në konsideratë. Kur u arrestua Dom Nikollë Kaçorri në vitin 1910 me akuzën se ai dërgonte armë e municion në Kurbin, një ndër të parët që protestoi në shtypin e kohës ishte Jahja Ballhysa në mbrojtje të Dom Nikollë Kaçorrit.

Anëtari i komitetit të kryengritjes, Jahja Ballhysa, me pseudonimin “Durrsaku” shkroi në gazetën “Shqiptari” artikullin “Letër prej Durrësi”, në të cilin shkruante: “Kryeprifti Nikollë Kaçorri u burgos para një jave. Sekretari i kishës që u suall atë natë në Durrës u detyrua të thotë se Nikollë Kaçorri i dha armët… Në korrespondencën postare (që dërgonte në Delbnisht) kishte vetëm një thirrje: Rrofshin kosovarët! Për bastisjen e kishës shkoi bimbashi me 12 xhandarë. Nikollë Kaçorri nuk i la të hynin në kishe, kështu u bë një përleshje e Nikollë Kaçorrin e rrafën”. Në shkrimet e botuara në shtypin e kohës me pseudonimin: “Durrsaku” “Palla” dhe “Palla e Durrësit” Jahja Ballhysa pasqyronte situatën e rëndë që përjetonte lëvizja kombëtare në Durrës, si edhe trysnitë që ushtronin qeveritarët e administratës vendore kundër atdhetarëve durrsakë.

DELEGATI I DURRËSIT NË KUVENDIN E VLORËS

Jahja Ballhysa me një grup atdhetarësh durrsakë priti në Durrës Ismail Qemalin më 21 nëntor të vitit 1912. Me gjithë përpjekjet e Jahja Ballhysës e të atdhetarëve të tjerë durrsakë për të përmbushur planin e Ismail Qemalit që të shpallej pavarësia në qytetin historik të Durrësit, ai nuk u realizua.

Kjo për shkak të reaksionit të qarqeve shoviniste fqinje dhe të disa fanatikëve turkoshakë që kishin ardhur atë ditë kur u organizua mitingu ku Ismail Qemali shpalosi hapur platformën e zbritjes së tij në Durrës. Plaku i Vlorës, atë që nuk arriti ta bënte në Durrës, u nis ta realizonte në Vlorë. Karvanit të Pavarësisë me Ismail Qemalin në krye, iu siguruan nga atdhetarët e Durrësit, të Shijakut, Tiranës etj., të gjitha mjetet e duhura për të vazhduar rrugën plot pengesa e vështirësi për në Vlorë. J. Ballhysa me atdhetarët e tjerë bëri përpjekje për të siguruar kuajt, shoqëruesit që do të kishin në mbrojtje Ismail Qemalin dhe shokët e tij. J. Ballhysa me ndikimin që kishte dhe autoritetin që gëzonte në rrethet atdhetare, hyri në lidhje me vendlindjen e tij Peqinin, Elbasanin, Çermën, Lushnjën, duke aktivizuar njerëzit më të besuar të tij që ta merrnin në mbrojtje hap pas hapi Ismail Qemalin dhe bashkëpunëtorët e tij. Ismail Qemali në kohën kur udhëtonte për në Vlorë, më 26 nëntor të vitit 1912, në Durrës atdhetarët durrsakë me porosinë e tij shpallën pavarësinë. Atë ditë atdhetarët durrsakë, midis tyre dhe Jahja Ballhysa, caktuan njërin nga atdhetarët më të moshuar durrsakë, Hafiz Ali Podgoricën, të ngrinte flamurin kombëtar.

Fill pas këtij akti, që shënonte një ngjarje të shënuar, u detyrua të largohej administrata e vjetër turke me mytesarifin në krye dhe në krye të administratës së re u caktua atdhetari i njohur Hamid bej Toptani. Në kohën kur Durrësi dhe durrsakët festonin gëzimin e shpalljes së pavarësisë, trupat serbe marshonin drejt Adriatikut dhe po i afroheshin Krujës. Ditën e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, Jahja Ballhysa gjendej në mes të delegatëve shqiptarë që kishin ardhur nga të gjitha trojet shqiptare dhe së bashku me ta përjetoi një ngjarje të shënuar, për të cilën si shumë atdhetarë të tjerë të shquar edhe ai kishte punuar dhe sakrifikuar. Nga Vlora, më 15/ 28 vjeshtë e tretë 1912, ai dërgoi në Durrës telegramin për familjen dhe bashkëpunëtorët e tij: “Më bani me dite për shëndetin tuaj. Indipendenca u shpall. Ju uroj. Jahja Ballhysa. Me pushtimin e vendit, ai protestoi pranë ushtrive të Mëdha kundër ushtrive pushtuese. Pushtimi i Durrësit më 28 nëntor nga forcat serbe e kishte tensionuar shumë situatën në qytetin bregdetar.

Elementë të veçantë, edhe pse shumë të paktë në numër, i kishin pritur me lule forcat serbe dhe në një meshë të organizuar enkas, iu lutën Zotit që serbët arritën mirë në Durrës. Në mbledhjen e katërt të Kuvendit të Vlorës J. Ballhysa kërkoi leje për t’u kthyer në Durrësin e pushtuar nga serbët. Ai në letrën që i dorëzoi Kuvendit deklaroi se linte si mëkëmbës z. Abdi Benë. Qëllimi i kthimit të tij në Durrës ishte takimi me prefektin serb të këtij qyteti, i caktuar nga ushtria e huaj pushtuese. Pas largimit të forcave serbe dhe vendosjes në qytet të organeve të administratës shtetërore të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Jahja Ballhysa dha përkrahjen e tij të pakursyer për organizimin dhe forcimin e administratës së Durrësit përkrah Hamid Toptanit duke qenë në funksionin e anëtarit të këshillit të Bashkisë”.

Në kohën e revolucionit demokratiko-borgjez të vitit 1924, Jahjai u përfshi në këtë revolucion dhe mbështeti qeverinë e Nolit. Ai mbajti marrëdhënie të ngushta dhe të përzemërta me atdhetarin Kasem Durrësi, si edhe priti e përcolli në shtëpinë e tij si miq të ngushtë atdhetarët e shquar të kohës, si Luigi Gurakuqin (bashkënxënës në kolegjin e Shën Miter Koronës), Bajram Currin, Isa Boletinin, Hasan Prishtinën” etj.. Për shkak të kësaj veprimtarie, emri i Jahja Ballhysës nuk përmendet fare në albumin e botuar nga revista katolike “Hylli i Dritës” në vitin 1938 me rastin e 10-vjetorit të themelimit të mbretërisë së Ahmet Zogut, kur në listën e atdhetarëve përfshiheshin edhe figura me veprimtari fare të kufizuar. / Panorama