Hapja e gabuar e partive politike

11/07/2013 - 17:00

Nga Besart Kadia*

Fjalimi i parë i kryetarit të koalicionit fitues të zgjedhjeve parlamentare ishte i standardit europian. Siç ishte dhe ai i kryeministrit në ikje tri ditë pas zgjedhjeve. Pas këtyre dy fjalimeve politika shqiptare përjetoi një zhvendosje “tektonike” të paprecedentë në këto 20 vite ose të “revolucionit të heshtur”, siç u quajt nga disa të tjerë. Po kalojnë tri javë nga dita e zgjedhjeve dhe vëzhguesit e huaj po largohen me keqardhje nga plazhet e bukura dhe ushqimi i shijshëm shqiptar. Ndërkohë që fushata brenda Partisë Demokratike po shtyn në kohë analizën e humbjes dhe po kërkohet një kryetar i ri, qeveria e ardhshme po hedh hapat e parë të modelit të saj qeverisës. Por ajo që vihet re si një sjellje e përbashkët për të dyja forcat politike është kërkimi për talentet! Por tregu ku e kërkojnë është i ndryshëm.

Po marrim në fillim Partinë Demokratike. Vihet re një përqendrim i saj për t’u riformatuar nga brenda, siç dëgjohet nga të dyja kandidaturat zyrtare për kryetar. Të dy theksojnë rëndësinë e meritokracisë në strukturat partiake të cilat, s’duhet harruar, janë vullnetare. I gjithë reformimi që ofrohet është forcimi nga brenda i partisë për të adresuar pakënaqësitë e mëdha që u shfaqën në zgjedhjet e 23 qershorit. Në këtë këndvështrim PD po kërkon të riformohet nga poshtë-lart dhe nga brenda-jashtë (përjashtimet që mund të vijnë për dështimet). Kjo vihet re si në hallkat e ulëta të këtij formacioni politik, ashtu dhe në kandidaturën për zëvendësimin e kryetarit Berisha. Mos harrojmë se kandidatura që erdhi nga jashtë e zotit Biberaj nuk u pranua. Në sjelljen e saj PD mendon se i ka të gjitha talentet njerëzore për të qenë konkurruese dhe njëherë dhe për t’u bërë një alternativë qeverisëse më 2017. Ajo mendon se në tetë vite ka krijuar prurjet e nevojshme për të riqeverisur vendin. Por nuk duhet harruar se sjellja si korporatë në vitin 2005 në headhunting për talente nga jashtë-brenda, ishte e suksesshme dhe ku kandidati kryesor, kryebashkiaku Basha është pikërisht rezultat i këtij procesi.

Nga ana tjetër, lideri i koalicionit fitues, Edi Rama ka bërë me dije se burimet njerëzore janë të rëndësishme për të bërë realitet rilindjen e vendit. Në këtë pikë ai ka ftuar qytetarët me një adresë emaili që të dërgojnë cv-në e tyre me synimin për t’u përzgjedhur si anëtarë të ‘skuadrës rilindase’. Padyshim që në tetë vjet lideri i opozitës do të ketë programuar se me cilën skuadër do të udhëhiqte vendin në rast fitoreje dhe kjo përpjekje duket e pavend, por që me të drejtë nxit një debat të ri nëse shteti, si palë që është në shoqëri, duhet të sillet më tepër si korporatë me objektiv publik, dhe më pak si administratë qeverisëse, që të vetmin model dhe praktikë pune ka atë të para 1990-ës, pavarësisht reformave dhe trajnimeve që janë bërë nga ndërkombëtarët.

Me të drejtë shtrohet pyetja se, a ka ardhur koha që shteti të jetë po aq konkurrues dhe të ketë të njëjtin lloj organizimi si korporatat e mëdha dhe, a duhen shpërblyer punonjësit në administratën publike njësoj si në sektorin privat? Ka shumë të rinj që janë mirëarsimuar jashtë, që kanë talent dhe që në vetvete kanë më shumë për t’i ofruar publikut se militantët që shumë pak kanë investuar për veten e tyre dhe shumë për partinë. Por kudo në botë si dhe në Shqipëri, qytetarët e mirëkualifikuar janë në dilemë konstante nëse aftësitë e tyre duhet të shfrytëzohen drejtpërdrejt nga shteti apo nga privati. Në fund ky mbetet një vendim privat, por me impakt të gjerë publik. Sido që të jetë, talentet tërhiqen nga punëdhënësi që kupton aftësitë e tyre, që i promovon dhe që di t’i shpërblejë moralisht dhe financiarisht. Te kjo e fundit qeveria e re ka shumë pak për të ofruar. Pagat në administratën shtetërore mbeten të ulëta; kryeministri, me gjithë përgjegjësitë e mëdha publike, paguhet më pak se një drejtor i thjeshtë banke. Pagat e sektorit privat janë disa herë më të larta se ato publike dhe në kohë krize shpërblimi moral nuk të servir dot ushqim në tavolinë në fund të ditës. Në këtë këndvështrim duhet parë se çfarë roli mundet të ketë kultura e korporatave në organizimin e shtetit dhe të partive politike në vend. Korporatat janë tejet agresive në përthithjen e punonjësve më të mirë në treg. Mënyra më efikase e cila mundëson këtë mbeten pagat e larta. Ndaj është më mirë një administratë e vogël me talente sesa shumë militantë të kënaqur. Të dyja partitë po kërkojnë talent, por duhet të sillen më shumë si korporata në kërkim të tij, kudo që të jetë. Më i miri të fitojë.

*Pedagog në Universitetin Europian të Tiranës.

http://mapo.al/2013/07/11/hapja-e-gabuar-e-partive-politike/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: